Transmetuar më 21-05-2018, 13:05

Në Gjykatën e Tiranës është hedhur shorti për rihapjen e dosjes së “Azem Hajdarit”, ku do të shqyrtohet kërkesa e Izet Haxhisë, i dënuar me 25 vite burg.

Shorti ka përcaktuar që çështja të gjykohet nga gjyqtari Besnik Hoxha, i cili do të vendosë nëse rasti do të apelohet ose jo.

Gjithçka për shkak se dënimi ndaj Haxhisë është dhënë në vitin 2002 dhe ka kaluar afati i apelimit.

Kujtojmë se Haxhia ka kërkuar prej vitesh rihapjen e dosjes, pasi pretendon se shumë fakte nuk janë marrë në konsideratë.

Ai madje ka akuzuar drejtpërdrejtë ish-shefin e tij Sali Berisha se ishte ai që e ka nxjerrë në pritë Hajdarin.

Para se të ekstradohej nga Turqia, Izet Haxhia ka deklaruar se posedon prova të shumta që nuk janë dorëzuar më parë në organet e drejtësisë.

Por gjyqtari Hoxha nuk është i panjohur për shqyrtimin e rasteve të bujshme, pasi është i njëjti që shpalli të pafajshëm gardistët e 21 Janarit, të gjykuar pasi në vitin 2011 u vranë katër demonstrues përpara Kryeministrisë.

Në dhjetor të vitit 2002, gjatë kohës që Besnik Hoxha ishte gjyqtar në Shkodër, në portën e jashtme të banesës iu vendos eksploziv. Por kjo ngjarje ka mbetur pa autor.

/a.y/noa.al