Transmetuar më 17-05-2018, 11:00
Publicitet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj iku fshehurazi në Itali, duke u përcjell me nderime.

Duke folur në seancën parlamentare ditën e sotme, ai tha se, Prokuroria ka për detyrë që të hapë hetimin dhe se pas audio-përgjimit Agron Xhafaj duhej ndaluar.

“Agron Xhafaj ka emëruar drejtorët e policisë, ndërsa Edi Rama ka emëruar kamikazët e tij në krye të Prokurorrisë së Përgjithshme dhe në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Shteti i Edi Ramës ka një detyrë tjetër, ti gjejë dhe ti mbyllë gojën dëshmitarit X”, u shpreh Basha.

Në këtë linjë shtoi se policia i është vënë mbas dëshmitarit “X”, nën argumentin se përgjimi nuk është i vërtetë.

Sipas tij dëshmitari prej 72 orësh është nën presionin e bandave dhe terrorit policor.

Ai shtoi se Agron Xhafaj i ka ikur gjithë këto vite drejtësisë dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë burg i dënuar me 7 vite e dy muaj burg për trafik droge.

Sipas tij, deri dje ishte në Shqipëri, ishte në Vlorë dhe se është fakt se ndryshoi emrin nga Agron në Geron dhe për të vijuar aktivitetin e tij kriminal në Vlorë.

“Ai u nis në Itali, jo si shoqërohenn të ekstraduarit, por me avionin e linjës. As nuk i vendosën prangat, por u përshëndet me qetësi me policët dhe hipi në avion. U përcoll me nderime në Itali! Çfarë fshihet pas kësaj ngjarje, policia duhet ta kishte ndaluar, prokuroria duhet të kishte nisur hetimin”, deklaroi Lulzim Basha. /a.y/noa.al