Transmetuar më 16-05-2018, 18:40

I përpiktë në orar, fiks në 18:30, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj sqaroi për mediat të gjitha pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike, se përmes vëllait të tij ai është i përfshirë në trafik droge.

Duke u kthyer pas në kohë, për të kujtuar vitin e largët 2002, kur vëllai i tij u dënua në Itali, ministri tha se për asnjë moment nuk është kujdesur që të ofrojë favore në shkelje të ligjit për vëllanë, Agronin.

“Lidhur me çështjen e dënimit të vëllait tim, vëllai im ka marrë dënim penal në Itali.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2002. Autoritetet e kanë ndaluar për një muaj dhe e kanë larguar nga Italia.

I kam kërkuar kryeministrit të asaj kohe dorëheqjen, por Majko nuk e pranoi.

Asnjë veprim imi nuk ka krijuar imunitet apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit penal ndaj tij. Asnjëherë si ministër i Brendshëm nuk kam bërë llogari se vëllai im nuk duhet të vuante dënimin. Fatmir Xhafaj nuk i krijoi favore në shkelje të ligjit”, tha ministri.

Më pas, ministri nuk i fshehu emocionet se kjo histori ka krijuar një situatë të rënduar në familjen e tij, sidomos për nënën.

“Unë dhe familja, ime jemi goditur shumë shpirtërisht. Ne do gjejmë forcë për ta përballuar këtë situatë të pazakontë familjare, për t’ja bërë të përballueshme nënës, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij të vegjël”.

Lidhur me audio-përgjimin e publikuar nga PD, ai tha se “nëse ka një grimcë të vërtetë të këtyre akuzave, marr përgjegjësitë ligjore dhe morale. Vëllai im nuk ka pasur asnjë problem me ligjin që pas vitit 2002. Audio-përgjimi është një mashtrim dhe manipulim, një akt mafioz". Në vijim, Xhafaj iu përgjigj edhe akuzave për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, ku tha se nuk ka gisht në asgjë nga sa thotë opozita, me qëllim për të mbrojtur vëllanë e tij. /k.k/noa.al/