Transmetuar më 16-05-2018, 13:56
Publicitet

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk heq dorë nga beteja në shkallët e drejtësisë me kryeminstrin Edi Rama, lidhur me një deklaratë të tij gjatë fushatës së vitit të shkuar kur i bënte thirrje policëve të bëhen pjesë e fushatës së Partisë Socialiste.

Kjo deklaratë u dha në një aktivitet elektoral në qarkun e Beratit, ndërkohë më pas kryeministri ka kërkuar ndjesë.

Por, LSI tashmë në opozitë duket se nuk do ta lërë të kalojë në heshtje pasi ka depozituar padi ndaj kryeministrit. Seanca e zhvilluar sot në Gjykatën e Beratit është shtyrë.

Përfaqësuesi ligjor i LSI Ylli Manjani deklaroi pas seancës se organi i akuzës është treguar jo serioz me këtë çështje pasi sipas tij “ka bërë sikur ka hetuar”.

Por ajo që është për tu kritikuar është Prokuroria  e Përgjithshme e cila nuk merr masa për të mbrojtur punën e vetë që nuk ka bërë. Dhe çfarë nuk ka bërë? Çfarë kemi kërkuar që kemi ardhur këtu?  Për një deklaratë absurde. Për një deklaratë që një njeri normal nuk do ta bënte, por një njeri anormal do ta bënte. Aq më tepër një kryeministër që po jua them sot ka shkelur të paktën katër ligje dhe të paktën dhjetë nene, përfshirë dhe Kushtetutën dhe një vendim qeverie të vetin. Ajo që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme është jo serioze. Ka bërë gjasme sikur është hetuar sepse minimalisht duhet të na kishte thirrur neve, domethënë duhet të kishte thirrur partinë e LSI-së që kallëzohej. Se thirri asnjëherë. E hapi e mbylli se ça bënë nuk u pa. ndoshta kanë turp që të vijnë në sallën e gjyqit prandaj nuk vijnë”, deklaroi Manjani.

Ai shtoi më tej se kryeministri nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë vetëm me ndjesën që shprehu në rrjetet sociale pas deklaratës që bëri në fushatë.

“Do t’i kërkojmë, e përsëris, edhe që e thashë në sallën e gjyqit, ne nuk jemi këtu për të thënë që të dënohet apo të mos dënohet. Nuk është ky gjyqi, do jetë një gjyq tjetër ai. Sot jemi për të thënë që të hetohet njëherë se nuk është hetuar”, tha ai./a.m./noa.al/