Transmetuar më 16-05-2018, 12:58
Publicitet

Mbështetës të opozitës dhe qytetarë të ndryshëm janë grumbulluar sot në një protestë te Ministria e Brendshme ku kanë kërkuar largimin e ministrit Fatmir Xhafaj të cilin e akuzojnë se ka marrë në mbrojtje vëllain e dënuar për trafik droge nga Italia.

Të pranishëm në protestë ishin edhe deputetët e opozitës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike ka dhënë edhe një prononcim për mediat, që është reagimi i parë nga opozita pas deklaratave të Ramës sot se audio-përgjimi nuk është autentik dhe Xhafaj po sulmohet padrejtësisht.

Ai ka paralajmëruar se të tjera prova do të bëhen publike.

“Ajo shprehja ‘s’keni parë gjë akoma’ është e vlefshme edhe për Xhafajn. Kjo çështje sapo ka nisur. Rama do pendohet për deklaratën që ka bërë”, deklaroi Paloka.

Më tej ai ka deklaruar se përgjegjësinë kryesore e ka kryeministri Rama që sipas Palokës kërkon të gjejë fajin te opozita dhe mediat sa herë është nën akuzë.

“Rama është koka e krimit, përgjegjësinë do ta mbajë ai. Dëgjuam akuza për opozitën dhe median. Nuk janë fajtorë ata që i denoncojnë. Kapet Tahiri në krim, do përgjigjet opozita dhe media, kapet Xhafaj në krim, do përgjigjet opozita dhe mediat..." tha Paloka./a.m./noa.al/