Transmetuar më 13-05-2018, 10:10

Këngëtarja Jonida Maliqi, gjatë vitit të kaluar i dha fund martesës së saj 17-vjeçare.

Por teksa pak ditë më parë ka publikuar këngën e fundit “N’errësirë”, e etiketuar si rrëfim mbi ndarjen, ajo ka zbuluar më shumë teksa ka qenë e ftuar në emisionin “Thumb”.

Jonida tha se, “Jam munduar të jem e sinqertë, sigurisht që me pjekurinë artistike dhe atë të moshës arrin në një stad ku nuk e sheh më këngën si një ekzekutim teknik apo profesional. Kur arrin në këtë gjendje ti do të fusësh diçka nga jeta jote, nga personalja. Mbaj mend kur këndoja këngën “Do jetoj pa ty” e cila bënte fjalë për një çift që ishin ndarë, të them të drejtën nuk ma ndjente fare. Por kur arrij ta dëgjoj sot do doja shumë ta rikëndoja me këtë gjendje”.

Por ajo shtoi se jeta vazhdon, pavarësisht situatave që ndodhin, duke nënvizuar se e shkuara nuk hidhet poshtë.

Këngëtarja tha se ruan kujtime të bukura nga martesa, duke nënvizuar se raportet me ish-bashkëshortin janë të mira, për shkak edhe të djalit të tyre.

Jonida dhe Gent Prizreni duket se vijojnë të kenë raporte korrekte, për hir të dashurisë ndaj djalit të tyre 6-vjeçar, Dan. /a.y/noa.al