Transmetuar më 11-05-2018, 17:33
Publicitet

Një nga agjencitë më të hershme në Shqipëri, Vatra Design Consultancy, një markë e regjistruar, në pronësi të V Advertising, tashmë është një faktor i rëndësishëm rajonal në fushën e dizajnit, marketingut dhe komunikimit. Përveç bashkëpunimeve të saj të suksesshme në rajonin e Ballkanit dhe Evropës Lindore, agjencia ka krijuar zyrë përfaqësie në Londër dhe, prej vitesh zgjeron aktivitetin duke ofruar profesionalizmin e saj për kompani, klientë dhe partnerë jashtë Shqipërisë.

Gerton Bejo, themelues dhe në të njëjtën kohë CEO i agjencisë, na tregon se Vatra është një agjenci kreative e konceptuar për t’iu përgjigjur kërkesave të klientëve, duke menduar për standardet e imazhit dhe komunikimit te tyre, akoma më parë se ata vetë.

Nën drejtimin e Gertonit, ekspert dizajni, komunikimi dhe marketingu prej 20 vitesh dhe pjesë aktive e tregut shqiptar prej 15 vitesh - që kur në Tiranë filluan të krijoheshin agjencitë e para të marketingut dhe komunikimit - Vatra ka siguruar një pozicion kryesues në fushën e marketingut, dizajnit dhe marrëdhënieve me publikun në Ballkan dhe në Evropën Lindore.

Vatra ka arritur të përmbledhë në një koncept, aftësitë, kulturat dhe përkushtimin e të gjithë stafit profesional dhe dhjetëra bashkëpunëtorëve tek të cilët agjencia është mbështetur në këto 15 vite. Në këtë mënyrë Vatra Design Consultancy ka dhënë më të mirën e mundshme në favor të të gjitha markave dhe kompanive me të cilat ajo ka bashkëpunuar dhe për të cilat ka krijuar këto vite.

Gertonin e Vatrës e takuam direkt pas një prezantimi me stafin e marketingut të një kompanie ndërkombëtare, e cila po planifikon të zgjerojë biznesin e saj edhe në Shqipëri. Shumë pozitivë nga takimi i morëm një intervistë, në të cilën e pyetëm për tregun kreativ në Shqipëri gjatë viteve të fundit, për Vatrën dhe tregun e komunikimit publik dhe privat në përgjithësi.

Gerton, apo Gerti i Vatrës si e keni më kollaj t’ju drejtohem? Ju drejtoni një prej kompanive kreative më të suksesshme në treg. Çfarë mendoni se e diferencon Vatrën nga agjencitë e tjera në mënyrë që të evidentohen arritjet?

Pas kaq vitesh të them të drejtën jo vetëm klientë, por edhe miq e shokë po më identifikojnë me emrin Gerti i Vatrës, por për mua njëlloj është, ndërsa në vijim të pyetjes suaj është e qartë që ajo që na diferencon është pikërisht në përshkrimin e industrisë për të cilën po flasim, asaj kreative. Mund të them me bindje që kreativiteti është forca kryesore e Vatrës. Është rëndësia që i japim krijimtarisë, origjinalitetit, të qenit unikë dhe detajeve të frymëzuara nga formimi profesional i stafit dhe njohja e tregut lokal të vendeve ku zhvillon aktivitetin agjencia, gjë që në fakt është një tjetër pikë e fortë e Vatrës. Sot, jemi të gjithë shumë të ngacmuar nga plagjiatura dhe mundësia për të kopjuar që na ofron interneti. Por, te Vatra ne jemi të udhëhequr nga sfida për të qenë ndryshe, origjinalë dhe rrjedhimisht kreativë. Nevoja për të bërë diferencën, lidhet me aftësinë për të prodhuar vizualisht, estetikisht dhe thelbësisht, aftësi të cilën ne e zhvillojmë dhe promovojmë. Një produkt që përmban kreativitet, përmban një koncept origjinal, pra ka një thelb. Është pikërisht koncepti, forca tjetër e Vatrës në tregun shqiptar. Çdo brand, çdo organizim, çdo komunikim, vizual, verbal apo dixhital ndjek një koncept të parapërcaktuar nga një punë kërkimore e detajuar dhe e bazuar në të dhëna reale të target-audiencës përkatëse.

Modeli i punës së Vatrës na lejon të veprojmë në tregje të ndryshme, industri të ndryshme dhe me audienca të ndryshme. Kjo falë aplikimit të dijeve dhe përvojës së fituar ndër vite nga eksperiencat jashtë dhe brenda vendit, e cila përshtatur me kulturën dhe etikën lokale të biznesit dhe krijon një lloj fryme të re e novatore të punës.

Një tjetër faktor është përkushtimi për të ndërtuar lidhje të forta, të suksesshme dhe afatgjata me biznese në vend dhe në rajon dhe me organizata ndërkombëtare të njohura, të cilat janë ushqimi ynë i përditshëm. Në raport me të gjithë këta partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, kemi aplikuar një qasje fleksibël, por pa bërë kompromis me cilësinë.

Ekipi i ekspertëve të Vatrës gjithashtu përvetëson dhe aplikon sistematikisht konceptet më të fundit të teknologjisë, duke ndjekur vazhdimisht trajnime profesionale ndër më të mirat e duke u përshtatur me nevojën e shekullit të XXI për qasje novative ndaj tregut.

Si një agjenci që kujdeset për identitetin dhe imazhin e brandeve të tjerë, po identitetin tuaj si do ta përkufizonit?

Sigurisht ne kujdesemi për imazhin tonë, por në të njëjtën kohë jemi modestë dhe jemi përpjekur të ruajmë një profil të përmbajtur dhe diskret. Filozofia dhe sfida jonë e përditshme është suksesi i klientit nëpërmjet punës që ne krijojmë. Janë arritjet dhe emri i klientit që flasin për ne, jo ne për veten tonë. Në 15 vite ne kemi fituar besimin e shumë klientëve, që na kanë frymëzuar dhe na kanë dhënë mundësinë të rritemi bashkë me ta.

Në një epokë transformimi dixhital dhe rrjedhimisht transformim komunikimi dhe perceptimi, cilat janë format e reja të marketingut që aplikon agjencia juaj?

Vatra është një agjenci që ka të përfshirë në ofertën e saj të gjitha disiplinat e një agjencie marketingu. Përveç shërbimeve tradicionale si departamenti i dizajnit dhe krijimtarisë së identitetit dhe imazhit të markave, departamentit të videos, i cili shërben kryesisht për prodhimin e spoteve publicitare, siglave televizive dhe PR Videos për institucione publike dhe private, atë të marrëdhënieve me publikun me të cilin ofrojmë shërbim profesional të pozicionimit të një kompanie kliente në raport me publikun dhe me mediat. Një tjetër departament për të cilin kemi investuar është departamenti BTL, i cili kujdeset për organizimin e plotë të eventeve, aksioneve të guerilla marketing dhe, gjithashtu fushatat sponsorship, të cilat janë evente të organizuara nga palë të treta dhe ku klientët tanë marrin pjesë si sponsorë.

Por në dy vitet e fundit Vatra është fokusuar në mënyrë të veçantë edhe në krijimin e një departamenti profesional të marketingut dixhital. Nevoja për të patur një departament të tillë në Vatra, lindi si një nevojë e padiskutueshme e tregut lidhur me epokën e re dixhitale në të cilën kemi hyrë por edhe në ndryshimin e audiencave dhe hemisferës mediatike.

Cili është profili i klientëve tuaj?

Vatra ka një shtrirje të gjerë të profilit të klientëve, në industri të ndryshme. Ky është një avantazh që na afron me tregun 360 gradë dhe na bën njohës shumë të mirë të këtyre industrive. Klientët janë institucione financiare, të edukimit të lartë, FCMGO, media, shërbime juridike, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, ente shtetërore e private, etj. Jemi të sigurtë që në 15 vite eksperiencë kemi prekur të gjitha industritë e mundshme, kombëtare dhe ndërkombëtare. Puna e përditshme me industri dhe profesionistë të fushave kaq të ndryshme, na ka pasuruar çdo vit, çdo muaj, çdo ditë, na ka bërë më të mirë, më profesionalë.

A janë sot bizneset në Shqipëri të qarta dhe të vetëdijshme në zgjedhjen e specialistëve të marketingut dhe komunikimit?

Vetëdija dhe kërkesa është rritur, kryesisht në 5 vitet e fundit, por ende janë të pakta ato biznese që përcaktojnë buxhete të mirëfillta marketingu në parashikimet vjetore. Një pjesë e mirë e tyre janë ende Ad Hoc. Kjo gjë ndryshon dhe është më e përparuar në Kosovë dhe Maqedoni, ku kompanitë parashikojnë shpenzime dhe strategji marketingu paraprakisht. Ndërsa nga klientët e Komunitetit Europian, puna na bëhet më e lehtë dhe më e parashikueshme.

Si po ndryshon tregu i reklamave në Shqipëri?

Të gjithë kërkojnë kreativitet, por në të vërtetë në fund të pakët janë ata që i kushtojnë vërtet rëndësi krijimtarisë së mirëfilltë dhe detajeve që bëjnë diferencën. Tendenca është ende prezantimi i gjërave të thjeshta, klishe, që duket se bëjnë të gjithë, ndërsa kreativiteti kuptohet dhe ka tendencën të paguhet pak.

Ndryshimi qëndron te kanalet e shpërndarjes së mesazhit dhe reklamave, si rrjedhojë e ndryshimit të audiencave, teknologjisë dhe epokës në të cilën jetojmë. Pavarësisht se kanalet më të besueshme ende mbeten mediat tradicionale, tendenca për mediat online dhe mediat sociale sa vjen dhe rritet, të cilat janë shpërndarëse të mira të mesazhit, por nuk shesin besueshmëri të mjaftueshme të produktit që shitet.

A investohet mjaftueshëm në këtë sektor? Si kanë ndryshuar buxhetet nga segmente të caktuar biznesi ndër vite?

Ka një rënie të buxheteve të marketingut, për shkak të aftësive financiare të kompanive dhe për shkak të mospërfshirjes së buxhetit të marketingut në parashikimet vjetore, duke e lënë këtë buxhet të rastësishëm. Dhe për këtë arsye, buxheti që shpenzohet shpesh kalon në median online si më e lirë nga media tradicionale.

Sipas anketës së fundit të EBU (European Broadcasting Union), në Shqipëri dhe Maqedoni media tradicionale mbetet ende më e besueshme se ajo online. Për shkak të një lloj kaosi të krijuar nga sasia e madhe e informacionit që qarkullon online, shqiptarët vazhdojnë të besojnë televizionin dhe radion, të cilat ushqejnë mediat online dhe ato sociale si content provider kryesorë dhe të besueshëm në pjesën më të mirë të tyre.

Cilat forma reklamimi thithin buxhetet më të mëdha nga bizneset?

Spotet televizive dhe reklamat thithin buxhetin më të madh të marketingut të shpenzuar nga bizneset, por ka një rritje buxheti i PR, pra marrëdhënieve publike. Por, trendi po shkon në kalimin e këtyre buxheteve gjithmonë e më shumë në mediat online, marketing dixhital. Sipas parashikimeve të ekspertëve më të mirë të marketingut dhe komunikimit, duke qenë se audiencat e ardhshme do të jenë të lindurit e epokës dixhitale, ky konstatim është pranuar tashmë si i mirëqenë.

Po vetë tregu i agjencive të marketingut në Shqipëri si ka ndryshuar në këndvështrimin tuaj?

Numri i agjencive është rritur vitet e fundit në Shqipëri dhe kemi prezencë të kompanive ndërkombëtare me staf lokal. Ajo që unë shoh është se ka një mospërputhje mes ekspertëve dhe drejtuesve të këtyre agjencive. Rritja personale është cilësore, por nuk është gjetur një gjuhë e vetme për të mbrojtur industrinë ku operojmë së bashku. Është e kuptueshme që kjo ndodh për shkak të interesave të momentit të secilit segment, por duke anashkaluar interesin e përbashkët që është forcimi i industrisë në të ardhmen. Mendoj se largpamësia është një element shumë i rëndësishëm në këtë lloj biznesi.

Kështu për shembull, nuk kemi forume të posaçme gjithëpërfshirëse apo një numër të konsiderueshëm aktivitetesh të përbashkëta. Kosova dhe Maqedonia janë më përpara në këtë drejtim, duke e gjetur gjuhën e përbashkët që prej 10 vitesh. Aq sa të talentuar jemi, po aq po shohim një paaftësi për menaxhimin maksimal të industrisë.

A kemi talente në fushën e dizajnit dhe cilat janë format që ju përdorni për të zbuluar dhe angazhuar sa më shumë talente të vërteta?

Talente kemi patjetër, por kemi mungesa e boshllëqe në edukimin sa më të mirë të tyre. Është rritur kërkesa, por oferta për specialistë të mirëfilltë nuk i përgjigjet kërkesës. Mangësitë vijnë nga kurrikulat e dobëta të shkollave tona dhe mungesa e mundësive për shkollim jashtë vendit. Pjesa më e madhe e specialistëve të dizajnit sot, janë autodidaktë, të cilët zhvillojnë aftësitë falë pasionit të tyre. Për këtë arsye, te Vatra kemi vendosur një buxhet vjetor në trajnimin e stafit tonë kryesisht jashtë vendit.

Cila është dinamika, e veçanta, avantazhet e të punuarit në një ambient kreativ? Si është një ditë pune te Vatra?

Puna në një agjenci kreative, është një ndër më sfidueset, por dhe ndër më të bukurat. Është ndër të rrallat ambiente ku përkushtimi, kreativiteti, orët e gjata të punës për të arritur tek një produkt përfundimtar sa më të mirë dhe përmbushja e pritshmërive të klientëve ndërthuren me lojën, zbavitjen, me brainstorming, këmbimin e informacionit dhe kulturave, muzikën e mirë dhe ndarjen e ëmbëlsirave.

ENGLISH VERSION