Franca është tronditur dhe përfshirë nga polemikat pas vdekjes prej shokut hemorragjik të një vajze 22-vjeçare nga Strasburgu, e cila telefonoi ndihmën e shpejtë për të kërkuar ndihmë, por nuk e besuan dhe nuk i dërguan ambulancë.
Për shkak se mbërriti me vonesë në spital, Naomi Musenga, një nënë e re, humbi jetën për shkak të hemorragjisë së brendshme.
Ngjarja e rëndë është shënuar në 29 dhjetorin e kaluar, por këto ditë maji kanë nisur polemikat, për shkak se është publikuar telefonata, ku e ndjera kërkonte ndihmë.
Nga këtu në rrjetet sociale ka nisur hashtagu #justicepournaomi (Drejtësi për Naomi). Rezultati i parë i kësaj fushate, ishte pezullimi nga puna i centralistes në qendrën shëndetësore.
Gjatë telefonatës në numrin 118 në Samu (Service d’aide medicale urgjent- Shërbimi i urgjencës), Naomi kërkonte ndihmë, “Më ndihmoni zonjë, më ndihmoni, jam shumë keq” dhe më pas “po vdes”.
Por operatorja me përçmim, i tha të telefononte mjekun e rojes, duke thënë, “Po, po, një ditë do të vdesësh, si të gjithë”.
Më tej dëgjohet operatorja duke u tallur me vajzën që kërkonte ndihmë. Disa orë më vonë, Naomi telefonoi mjekun roje për të kërkuar ndihmë, i cili dërgoi një ambulancë.
Gjatë mbërritjes së mjekëve, Naomi ishte ende e vetëdijshme, por pak më vonë humbi jetën prej shokut hemorragjik, shkruan noa.al.
Prokuroria e Strasburgut ka nisur një hetime lidhur me këtë rast, për të hedhur dritë mbi vdekjen e së resë. /a.y/noa.al