Transmetuar më 08-05-2018, 13:17
Publicitet

Nëse keni një shtëpi të dytë apo të tretë dhe doni ta jepni me qira të sigurt për të paktën 3 vjet përveç mundësive të tregut, një alternativë është edhe ajo që ofron ligji “Për strehimin social” i miratuar së fundmi në Parlament. Konkretisht në nenin 23 të këtij ligji lakohet termi i “pronarit social” një status që mund ta përfitojë çdo subjekt publik apo privat që vë në dispozicion banesa për ti dhënë me qira  tek familjet në nevojë.

Por cila është në fakt procedura për të regjistruar banesën tuaj në fondin e atyre që përdoret për këtë kontigjent. Referuar ligjit njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin që brenda muajit janar të çdo viti të shpallin një thirrje për çdo subjekt të interesuar, i cili kërkon të regjistrohet si pronar social.

Thirrja për aplikim përmban, veç të tjerave, kushtet për përfitimin e statusit “pronar social” dhe lehtësitë fiskale që miratohen nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Brenda këtyre njësive ka një strukturë të veçantë e cila do të bëjë verifikimin e kushteve që kanë banesat për të cilat është aplikuar që jenë në grupin e atyre që jepen  me qira tek familjet në nevojë. Ky grup sheh kushtet e banesës, përshtatshmërinë e saj për jetesë, normat e strehimit dhe në bazë të konstatimit nxjerr edhe një raport duke I kthyer përgjigje aplikantit për miratim ose refuzim.

Kur jepet statusi “pronar social”

Subjekteve publike ose private mund t’ju jepet statusi pronar social nëse plotësojnë disa kushte ku së pari është plotësimi i normave teknike dhe normave të strehimit në fuqi referuar raportit të strukturës së njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Së dyti vlerësohet qiraja me të cilën ofrohet banesa e cila nuk është më e lartë sesa qiraja mesatare në tregun e lirë. Së treti nënshkruan një kontratë me njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku bien dakord për mënyrën e menaxhimit të banesës së tij dhe së katërti nënshkruan deklaratën se nuk do të refuzojë qiramarrësin për arsye që përbëjnë diskriminim.

Marrëveshja mes pronarit dhe njësisë së qeverisjes vendore

Ligji përcakton në nenin 24 detajet që përfshin marrëveshja mes pronarit social dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ndër të tjera kjo marrëveshje parashikon afatin që nuk mund të jetë më pak se tre vjet, masën e qirasë dhe mënyrën e shlyerjes së saj si dhe mënyrën e administrimit të pronës dhe marrëdhënien me qiramarrësin, shkruan 'Monitor'. Pronari social mbështetet për subvencionimin e qirasë për familjet përfituese. Sipas ligjit, familjet që trajtohen me banesa sociale me qira, paguajnë një pjesë të saj të vetme sipas të ardhurave që kanë ndërsa pjesën tjetër e plotëson njësia vendore në kuadër të politikave të strehimit social.