Transmetuar më 07-05-2018, 20:21
Publicitet

Nga Artan Fuga

Kanë të drejtë ata që shprehen se shqiptarët jo vetëm nuk e njohën persekutimin e hebrenjve, por edhe i mbrojtën ata nga genocidi nazist, me aq sa mundën.

Kjo i atribuohet më së pari gjerësisë të zemrës të popullit të thjeshtë, njeriut, familjeve shqiptare në mëhallat e lagjet e qyteteve, që të organizuara si komunitete, kanë pasur zemër humane me të ardhurit ose midis tyre pavarësisht fesë, origjinave krahinore.

Por, kjo nuk duhet të na bëjë të krenohemi pa e parë historinë pak a shumë drejt në sy.

Tri rrethana duhet me i mbajt parasysh.

E para, nuk është se di ndonjë sinagogë në ndonjë qytet ku të bënin lutjet e tyre hebrenjtë. Nuk di në jetën politike të kenë qenë prej tyre në drejtim. Sapo u krijuan kushtet, të gjithë pothuajse na lanë shëndenë duke u larguar nga territori ynë atje larg në Izrael. Nuk mbaj mend që ndonjë rregjim politik t'u ketë njohur edhe qytetarinë shqiptare dhe kombësinë hebre, çka do të kishte qenë, kjo po, një arritje.

Hebreu shihej si shqiptar. Nganjëra anë kjo tregonte integrimin e tyre, por nga ana tjetër dëshmonte një lloj mospranimi institucional të multikulturalizmit.

E dyta, jeta pa spiunime dhe pa denoncime ose nën dhunë te ne e hebrenjve që kishin miqësitë, lidhjet martesore, familjare me ne shqiptarët, pra bashkëjetesa lidhet edhe me faktin se në vende të tjera në Europë konflikti ka qenë mes shtresave me besim katolik dhe hebrenjve. Kurse te ne katolikët kanë qenë vetë pakica dhe shpesh nën presion politik. Ndërkohë konflikti midis hebrenjve dhe myslimanëve në zonat e Lindjes së Mesme është i vonshëm në format që njohim sot, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Kurse më parë hynin në fuqi ngjashmëri jo të vogla midis dy feve pra hebrenjve dhe myslimanëve në besimet fetare.

Po ashtu, hebrenjtë në Shqipëri kishin profil social relativisht modest, dhe nuk kishin në zotërim banka, media, pushtetin e parasë si në vende të tjera, prandaj edhe nuk u përzjenë urrjejtjet klasore me ato kulturore dhe fetare në këtë rast.

E treta, të mos e shtrembërojmë historinë, ndërsa populli sigurisht ishte për bashkëjetesë dhe ndau gjithçka, elitat politikat shqiptare nuk ishin gjithmonë aq të pafajshme. Dihet se nacionalistët shqiptarë që anuan nga nazizmi në vitet '40 e kishin në platformën e tyre ideologjike goditjen ndaj hebraizmit dhe "çifutërisë" ndërkombëtare që e shihnin te Franca dhe Anglia, duke mbështetur nazizmin hitlerian si "shpëtim" për shqiptarët. Po kështu, edhe komunizmi, Izraelin e shihte si fuqi diabolike dhe e ngatërronte toptan me përballjen e sionizmit si rrezzik për popujt.

Pra, ta lartësojmë bashkëjetesën si vlerë e historisë kombëtare, por edhe ta shohim të vërtetëen në sy, pra bashkë me hijet e veta sado të mëdha ose të vogla të jenë.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al