Transmetuar më 27-04-2018, 11:09
Publicitet

Kryeministri Edi Rama thotë se problemi i biznesit të vogël nuk është TVSH, por tavani 8 milionë. Gjatë një takimi të mbajtur paraditen e sotme me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe me përfaqësues të biznesit, ai tha se duke kaluar tavanin 80 milionë lekë të vjetra, biznesi i vogël kthehet në subjekt që duhet të paguajë një taksë nga 5% deri në 15 %.

“Kjo bën që shumë prej jush të gënjejnë me bilancet, për të mbajtur kokën nën tavan, ndërkohë që xhiron e kanë më të lartë se 80 milionë dhe jetojnë në stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme. Ka ardhur koha që këtë çështje ta adresojmë siç duhet në mënyrë që asnjë biznes i vogël të mos gënjejë dhe tavani të rritet në 100 milionë. Dhe juve nga gënjeshtarë ktheheni në aleatë të shtetit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, qëllimi i kësaj lëvizje nuk është që të marrë më shumë lekë për buxhetin e shtetit, por qëllimi është që biznesi i madh të mos i shmanget detyrimeve ndaj shtetit.

Rama shtoi se biznesi i vogël me të madhin bëhen bashkëpunëtor për t’ia hedhur shtetit, ku të mëdhenjtë japin mallin pa faturë, biznesi i vogël e pranon, pasi ka frikë se kalon 80 milionëshi dhe po u kalua kjo shifër, taksohet si biznes i madh.

Në këtë drejtim nënvizoi, se biznesi i vogël nuk e ka problemin te TVSH, por te tavani dhe nëse çlirohet nga ankthi i kapërcimit të tavanit dhe kalimi ku duhet të paguajë 15% në vend që të paguajë 5%, e ka shumë më të lehtë të paguajë këtë pjesë.

“Jemi të interesuar që së bashku të arrijmë në një përfundim sa më të arsyeshëm dhe logjik që të garantojmë që të gjithë ju dhe kategoria juaj të funksionojë duke marrë frymë lirisht pa qenë të detyruar të gënjejnë për inspektorët, por ta shtypë atë kasën sa herë bën një transaksion pa pikën e sikletit”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. /a.y/noa.al