Transmetuar më 26-04-2018, 19:59

Emri i deputetit gjerman të partisë së kancelares Angela Merkel, Gunther Krichbaum është vendosur në qendër të vëmendjes së fundi. Ai shihet si njeriu që mund të ndikojë për të frenuar çeljen e negociatave për Shqipërinë, pasi është një eksponent jo pak i rëndësishëm në partinë në pushtet dhe mban postin e Kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun e Gjermanisë.

Ai ka shprehur hapur skepticizmin e tij për të mbështetur Shqipërinë në këtë hap të madh. Por, a mendon njësoj si ai edhe kancelarja Merkel?

Këtë përgjigje e ka dhënë vetë deputeti. I’a ka dhënë jo politikës, por një qytetari shqiptar që komenton në llogarinë e tij në Facebook.

Krichbaum shkruan se “hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë e sheh si vendim të parakohshëm”.

Por shqiptari e pyet:

“Ama, Angela Merkel nuk mendon njësoj si ty? A jeni në të njëjtën parti apo jo?”.

“Jo të gjithë në partinë tonë kanë të njëjtin mendim”, i përgjigjet deputeti gjerman.

Kjo përgjigje e tij mund të rrisë optimizmin tashmë për mbështetjen që mund të japë kancelarja Angela Merkel./a.m./noa.al/