Transmetuar më 26-04-2018, 18:00

Komunikimin e parë pas kthimit nga Gjermania, Kryeministri Rama e pati me gazetarët për të folur mbi takimet e nivelit të lartë që pati në Berlin.

Edi Rama hodhi poshtë artikulimet e kryetarit të Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, i cili tha se ia kishte deklaruar në sy kryeministrit shqiptar se nuk është koha për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Ai nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është surprizë për mua pasi ai kështu e mendon. Mendimi i tij ka atë peshë që ka, por as nuk më gjen të papërgatitur dhe as përbën një arsye që të më ulet kënaqësia e rezultateve”, u tha Rama gazetarëve.

Kreu i qeverisë deklaroi me bindje se është më optimist tani që u kthye nga Gjermania, sesa përpara se të nisej.

“Ne do bëjmë gjithçka që na takon, dhe jam më optimist sesa përpara se të nisesha sa i përket Gjermanisë”, u shpreh Rama.

Klima në Gjermani, për kreun e qeverisë është optimiste dhe nuk mendon për pengesa të mundshme. /k.k/noa.al/