Transmetuar më 26-04-2018, 08:59

Një fëmijë shqiptar vetëm 12 vjeç, humbi jetën tragjikisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pesë ditë pasi kishte shkuar në “tokën e premtuar” nga Shqipëria.

Viktima është Elios Xhemollari, për të cilin kushëriri i tij ka nisur një fushatë online në faqen “GoFundMe”, për të kërkuar ndihmë për të mbuluar shpenzimet e funeralit.

Mësohet se familja nga Shqipëria prej pak ditësh kishte shkuar në SHBA, për të nisur një jetë të re, kur i mituri teksa shëtiste me biçikletë, u përplas nga një kamion në zonën e Lanza Avenue në Garfield.

Aksidenti i rëndë u shënua këtë të martë, kur një 43-vjeçar nga New Jersey, teksa po merrte një kthesë, përplasi të miturin me kamion.

Vogëlushi shqiptar gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e dëmtimeve të marra.

Pavarësisht se drejtuesi i kamionit tentoi ti vinte në ndihmë vogëlushit shqiptar, ai nuk ia doli.

Për të zbuluar më shumë mbi rrethanat e aksidentit, hetimet janë në vijim. /a.y/noa.al