Transmetuar më 23-04-2018, 17:54

Dy ditë më parë një 38-vjeçar nga Fieri i shpëtoi mrekullisht një atentati me tritol. Gjendja e Ervin Memos është përmirësuar pas ndihmës mjekësore dhe grupi hetimor e ka marrë në pyetje lidhur me atentatin ndaj tij.

NOA mësoi se ai ka deklaruar para hetuesve se nuk ka asnjë konflikt, veç atyre për pronat që ka trashëguar, informacione të cilat janë publikuar edhe më herët.

Por, ai nuk i ka vënë gishtin askujt për atentatin, pasi ka deklaruar se konfliktet me personat në fjalë nuk kanë qenë aq të ashpra sa ai të mendonte se mund ta vrisnin.

Ndërkohë, raportohet se policia ka shoqëruar personat në fjalë, identitetet e të cilëve nuk bëhen me dije për shkaqe hetimore.

Pavarësisht dëshmisë së dhënë dhe informacioneve për konfliktet e pronësisë, grupi hetimor po kryen veprime edhe në drejtim të pistave të tjera.

Ndërkohë, 38-vjeçari ka dhënë edhe detaje lidhur me momentet e shpërthimit. Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur sapo ka hyrë në makinë, të cilën e përdorte rrallë pasi e kishte lënë para banesës me tabelën “shitet”./a.m./noa.al/