Transmetuar më 23-04-2018, 15:28

Ish ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka njoftuar se ka fituar zgjedhjet për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Përmes një statusi në rrjetin e saj social Facebook, Bregu thotë se fitorja i takon Shqipërisë.

“Fituam. Unë fitova garën, por fitorja i takon vendit tim! Faleminderit të gjithëve që besuan dhe më votuan për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Mirënjohje të gjithëve,vendeve anëtare, institucioneve shqiptare, Komisionit Europian, EEAS( Shërbimi i Jashtëm i BE), Parlamentit Europian, familjes time politike EPP, e mbi të gjitha vendeve që votuan bindshëm kandidaturën time”, shkruan Bregu.

Më tej ajo shton se, “U përpoqën të gjithë, me qartësinë se drejtimi prej meje i këtij institucioni do të ishte fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve! Jam e nderuar sot që për herë të parë më takon mua të drejtoj si e para shqiptare në një pozicion të lartë ekzekutiv, institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore”.

Ndër të tjera ish- ministrja Bregu nuk ka nguruar që të falënderojë edhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushatin. “Një falenderim miqësor për Ditmirin. Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë! E di që do të jetë një sfidë e vështirë, por nganjëherë e vështira është më e mira”, tha Bregu.

Ish ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka fituar zgjedhjet për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal përballë ish kryeministrit dhe ministrit të jashtëm malazez, Igor Luksiç. Në zgjedhjet e mbajtura pak ditë më parë, Bregu ka marrë shumicën e votave dhe zyrtarizimi pritet të bëhet nesër./b.l/noa.al/