Transmetuar më 22-04-2018, 13:58

Tirana kurorëzoi me sukses fushatën e saj të mbjelljeve me 120 mijë pemë të reja, të cilat krijuan një revolucion të gjelbër për kryeqytetin.

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, kryetari i Bashkisë së Tranës, Erion Veliaj, iu bashkua aksionit për mbjelljen e 1123 pemëve të reja në Liqenin e Farkës, së bashku me anëtarë të Këshillit të Qarkut Tiranë, punonjës të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të Drejtorisë Rajonale të Punës në Tiranë, si dhe dhjetëra qytetarë e biznese të ndryshme.

Kryebashkiaku Veliaj tha se fushata e mbjelljeve jo vetëm i dha qytetit një energji pozitive, por njëkohësisht hodhi themelet e një tradite të bukur bashkëpunimi. “Jam shumë i lumtur që finalizojmë një fushatë fantastike për Tiranën, që na dha energji të gjithëve.

Si një familje e madhe u ngritëm për një nevojë që kishte qyteti. Bashkia nuk ia del dot vetëm, nëse nuk punojmë të gjithë për qytetin. Kjo fushatë ka qenë një magji e bashkëpunimit. Sot kemi filluar një traditë, e cila duhet të ruhet nga të gjithë si një mënyrë për të thënë se secili ka mision për të lënë shenjë në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Për shkak të interesit të lartë të qytetarëve dhe kompanive që janë regjistruar në listë pritje për të dhuruar pemë, mbjellja në kryeqytet nuk do të ndalet, për këdo që dëshiron të lërë një gjurmë në Tiranë. Veliaj shtoi se me qytetarinë dhe bashkëpunimi që është treguar në këtë fushatë mbjelljeje në kryeqytet, tregon se ditët më të mira për Tiranën janë përpara.

Teksa falenderoi të gjitha ata individë, organizata, institucione shtetërore, përfaqësi të huaja që u bënë pjesë e nismës, duke i dhënë qytetit më shumë gjelbërim, Veliaj shtoi se Tirana nuk ka kohë për të humbur, ndaj ftoi qytetarët që të bëhen bashkë në nisma të tilla pozitive. “Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, mund të bëjmë mrekulli. Kur harxhojmë kohë duke penguar njëri-tjetrin, duke vënë stërkëmbësha, humbasim kohë. Në Tiranë s’kemi kohë për të humbur”, shtoi ai./b.l/noa.al/