Transmetuar më 20-04-2018, 18:35

Së shpejti do të goditen grupet kriminale në Fier dhe Lushnjë.

Paralajmërimi ka ardhur nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili tha se në sajë të operacionit “Forca e Ligjit”, janë goditur 7 grupe kriminale.

I pranishëm në Forumin Qytetar për Sigurinë, në Fier, Xhafaj tha se do të sekuestrohen edhe pasuritë e grupeve që ushtrojnë veprimtari kriminale.

“Jo vetëm ndëshkimin penal të tyre, por dhe goditjen e pasurive kriminale që këto grupe kanë vendosur.

Nga njëra anë, ndëshkimi penal i tyre, dhe nga ana tjetër heqja e bazës ekonomike. Jemi të vendosur për luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni. Deri më tani kemi goditur 7 grupe kriminale.

Shumë shpejt do të shihni rezultate konkrete edhe në Fier edhe në Lushnje ku ka dukuri të kësaj natyre”, tha Xhafaj.

Pak ditë më parë, në një forum të ngjashëm në Elbasan, ministri tha se kriminelëve do u nxihet jeta përpara forcës së ligjit. /k.k/noa.al/