Transmetuar më 20-04-2018, 16:56

Të gjithë pacientët e prekur nga kanceri i gjirit nuk do të vuajnë më mungesën e ilaçit të Herceptimës.

Garancia është dhënë nga Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në Fier, ku tha se përveç zgjerimit të listës së barnave të rimbursueshme, nuk do të ketë më mungesë të Herceptimës.

“Përveç 36 barnave të reja, që do të rimbursohen nga shteti për të gjithë njerëzit në nevojë, do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe Herceptima. Përveç se i shtrenjtë, ishte edhe problematik, tanimë do të jetë tërësisht falas.

Bëhet më në fund një premtim me peshë të madhe, dhe më në fund nuk do të ketë më mungesë të Herceptimës për të gjitha gratë dhe vajzat”, tha Kryeministri.

Një tjetër vendim që u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka të bëjë “me nxitjen e biznesit, kryesisht për fermerët”.

Kryeministri Rama tha se fermerët me xhiro mbi 5 mln lekë të rinj do të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së, dhe për këtë arsye ai kërkoi bashkimin e fermerëve për të kaluar këtë prag. /k.k/noa.al/