Transmetuar më 20-04-2018, 10:33

Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar ditën e sotme në lidhje me arrestimin e Kastriot Gjuzit, të dyshuar si autor të vrasjes së Mario Majollarit më 10 prill 2018 në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Zyrtarizimi i këtij informacioni ka ardhur nga policia një ditë pas arrestimit të Gjuzit.

Policia Kufitare e Kosovës, bëri të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim nga Policia Shqiptare të Kastriot Gjuzit, 40 vjeç, i lindur në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 10 prill të këtij viti, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku u vra me armë zjarri Mario Majollari.

40 vjeçari me qëllim shmangien e hetimeve ndaj tij kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin  jeshil në “Republikën e Kosovës”, ku dhe u kap nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës.

Në përfundim të veprimeve të para  hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë u bë ndalimi i Kastriot Gjuzit.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprat penale të ”Vrasjes për gjakmarrje” dhe ”Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”./b.l/noa.al/