Transmetuar më 20-04-2018, 10:04

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokuroren e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani, për shkak të problemeve të saj me deklarimin e pasurisë.

Pas këtij vendimi, prokurorja Nikëhasani ka reaguar për gazetarët duke deklaruar se pasurinë e saj e ka të gjithën të justifikuar, ndërsa e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë.

E indinjuar ajo thotë se ka punuar me përkushtim dhe nuk ka shkelur asnjëherë ligjin,  madje shton se nuk ka asnjë llogari kursimi.

"Duhej vetingu, sepse na vinte turp kur na pyesnin ku punon. Lidhur me procesin, ILDKPI ka nxjerrë të gjitha letrat. Ne kemi nisur deklarimin që në vitin 2003, por ju betohem se unë kam deklaruar vetëm rrogën time dhe nuk e dinim për të tjerat. Më thonë për shtëpinë. Shtëpia është shembur dhe është ndërtuar pallat. Po pasurinë e bashkëshortit me toka me shtëpinë që ka pasur? Pse nuk e kanë verifikuar?!

Unë do të ndjek rrugën ligjore, as diskutohet, se është e drejtë ligjore. Jam shumë kurioze të di si do ta arsyetojnë. Pastaj, pse nuk merret parasysh pastërtia e figurës? Se nga e mora unë pasurinë kur unë s’e kam shkelur një herë ligjin? S’kam asnjë presje. Po të kisha pasurinë nuk kisha pse të shkoja nga Tirana në Shkodër, si gjithë dynjaja! Nuk e kam shkelur asnjëherë ligjin. 

I jam përkushtuar punës duke lënë fëmijët të rriten vetë. As bëhet fjalë që rrugën ligjore do ta ndjek sepse jam e pastër. Më kanë vënë tritol tek makina, kam ikur nga ajo shtëpi sepse më është trembur djali. Me sakrifica i bëj. U bëra 40 e ca vjeçe, burri 50 e ca vjeç dhe asnjë llogari kursimi s’e kemi. A është e drejtë kjo?! Po të mos isha me integritet nuk do të kandidoja në KLP", u shpreh prokurorja.

Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në sitë tre gjyqtar dhe një prokuror ndërkohë që në pritje janë afro 800 gjyqtarë dhe prokurorë në të gjithë vendin. teksa po ashtu janë larguar nga sistemi 16 gjyqtarë e prokurorë./b.l/noa.al/