Transmetuar më 18-04-2018, 19:07

Prokuroria nisi sot hetimet ndaj Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dhe ish-Rektorit Dhori Kule për veprat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Disa orë pas publikimit të lajmit, ka ardhur edhe reagimi i Konit përmes një deklarate të shpërndarë në Facebook ku ai shpreh mbështetjen ndaj organit të akuzës për kryerjen e veprimeve hetimore.

“Bazuar në publikimet në media ditën e mërkurë datë 18.04.2018, shpreh mbështetjen personale dhe institucionale për hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, deklaron Koni.

Ai thekson më tej se organi i akuzës duhet të ndërmarrë një hetim të plotë. Koni i bën kërkesë prokurorisë të shtrijë veprimet mbi aktivitetin financiar të Universitetit në 10 vitet e fundit, duke hedhur kështu hije dyshimi mbi paraardhësin e tij Dhori Kule, me të cilin është konfliktuar hapur kohët e fundit.

“Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë së Krimeve të Rënda të ndërmarrin një hetim të plotë, të shpejtë dhe të thelluar. Në mënyrë të përsëritur, i bëj kërkesë organeve kompetente të drejtësisë të ndërmarrin një hetim të plotë mbi të gjithë aktivitetin financiar të Universitetit të Tiranës në 10 vitet e fundit deri në ditën e sotme”, deklaron Koni më tej. /a.m./noa.al/