Transmetuar më 16-04-2018, 17:11
Publicitet

Një i ri nga Shqipëria është arrestuar nga autoritetet italiane, pasi grabiti pronarin e një lokali.

Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Theodhori Grabova, i cili u arrestua nga policia në Modica të Italisë, si autor i grabitjes me armë.

Pas mbylljes së lokalit, pronari ishte duke ikur për në shtëpi para se të ndeshte agresorin në hyrje të banesës.

Për të çuar deri në fund grabitjen, mësohet në përveç shqiptarit ishte edhe një tjetër person, të dy të armatosur dhe me kapuç në kokë.

Me thikën në fyt, dhe nën kërcënimin e pistoletës, pronari i barit u detyrua të dorëzonte fitimet, të cilat i kishte në xhepin e pantallonave, rreth 800 euro.

Ende i terrorizuar, ai njoftoi policinë dhe pas ndjekjes u arrit të prangosej Theodhori Grabova, emër i njohur për autoritetet italiane. 

Në orët e para të mëngjesit të  djeshëm, pesë patrulla policie u vunë në kërkim të dy grabitësve pranë banesave të të dyshuarve të tjerë në Modica Alta, duke e gjetur Grabovën në shtëpinë e një italiani.

Kontrolli i banesës solli zbulimin e armëve të përdorura gjatë grabitjes, të fshehura në vende të ndryshme, një pistoletë dhe një thikë rreth 23 centimetra e gjatë.

Shqiptari ishte dëbuar nga Italia dhe rezultoi se kishte hyrë ilegalisht në këtë shtet. /k.k/noa.al/