Transmetuar më 26-03-2018, 11:47
Publicitet

Kryeministri Edi Rama thotë se deri para pak vitesh sektori i energjisë ndodhej në kolaps të plotë.

Duke folur ditën e sotme gjatë prezantimit të strategjisë kombëtare të energjisë 2018-2030, ai tha se u bë transformimi më i rëndësishëm në çdo aspekt, duke filluar nga më thelbësori, vendosja e ligjshmërisë në sektorin e energjisë.

Sipas tij nga një aset i rrezikshëm për ekonominë dhe financat, sektori energjetik u kthye në një aset që vlerësohet ditë pas dite, falë riorganizimit rrënjësor dhe punës së ekipit të ministrisë dhe vetë kompanisë.

Ai kujtoi se buxheti i shtetit subvenciononte 150 milionë euro në vit për të mbuluar vjedhjet dhe rrjetin e amortizuar.

“Humbjet i afroheshin 50%. Ato janë përgjysmuar dhe strategjia parashikon të shkojnë në 10% çka do të ishte norma mesatare e të gjitha vendeve të BE, pa folur pastaj për tregun e energjisë, ku ndërmorëm një proces kurajoz liberalizmi dhe në harkun e pak viteve të kemi një hapje 100% të tregut të energjisë. Sot falë këtij procesi kemi nisur përgatitjet për një hap shumë të rëndësishëm. Kemi nisur punën që deri në fund të këtij viti tu mundësojmë qytetarëve mundësinë të jenë aksioner në kompaninë e energjisë në mënyrë që kompania nga pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë të ketë një benefit reciprok për kompaninë dhe qytetarët që do mund të përfshihen si kontribuues dhe përfitues”, u shpreh Rama.

Ai shprehu bindjen se investimet në interkonjeksione nga ai me Kosovën tek ai me Maqedoninë, do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme edhe peshën e faktorit Shqipëri në tregun e përbashkët energjetik të rajonit, që për Shqipërinë, nënvizoi kreu i qeverisë, është e vetmja perspektivë e qëndrueshme për të rritur peshën e sektorit në ekonominë dhe financat e vendi.

Ndër të tjera tha se sektori i energjisë në Shqipëri ishte problemi më i madh, një gropë ku buronin të gjitha të këqijat në Shqipëri dhe se sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit që mbetet një sfidë e hapur. /a.y/noa.al