Transmetuar më 21-03-2018, 12:10

“Nuk po kërkojmë një favor, nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë një shprehje tjetër, përveçse afirmimit të asaj që meritojmë, hapjen e negociatave”.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat, pas vizitës së zhvilluar ditën e djeshme, e martë, në Bruksel.

Ai shtoi se shpresohet dhe besohet që Komisioni Europian të jetë i drejtë me Shqipërinë dhe të bëj një rekomandim të qartë dhe pastaj sigurisht thotë ai, mbetet beteja diplomatike për të bindur çdo vend anëtar dhe për të bërë çmos që problematika të ndryshme, brenda vendeve të mos kthehen në një arsye që të penalizohet Shqipëria.

Rama shprehet se, tanimë janë rezultatet që kanë filluar të flasin për reformën në drejtësi.

“17 pesha të rënda të sistemit janë tërhequr vetë, nuk kanë shkuar në procesin e vettingut. Dëgjesat, në dijeninë time, fillojnë këtë javë dhe të tjerë do të përballen me procesin e vettingut. Pra pastrimi i sistemit ka nisur. Do të kishte qenë vërtetë e mrekullueshme që të ishim këtu së bashku me kryetarin e opozitës sikundër e patëm biseduar në mbrëmjen e gjatë të 17 majit, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe do të na duhet që boshllëkun e madh që ka krijuar opozita dhe posaçërisht PD në këtë proces, ta mbushim me forcat tona”, deklaron Rama.

Ai shton se nuk dëshiron që të bëj komente për opozitën, duke nënvizuar se opozita zgjedh dhe vendos atë që sheh më të arsyeshme.

Sipas Ramës, populli sheh dhe gjykon, përfshirë dhe votuesit e opozitës.

“Por dua të them që mungesa e opozitës në këtë proces apo disa deklarata të llojit “më ka çuar nana me la gojën”, janë vërtetë për të ardhur keq”, tha në mbyllje Kryeministri. /a.y/noa.al