Transmetuar më 21-03-2018, 12:03

Dhjetra minatorë dhe përfaqësues të sindikatës së tyre po protestojnë sot para kryeministrisë. Situata po shoqërohet me tensione pasi kryeministria është rrethuar me një kordon policie dhe protestuesit tentuan ta çajnë atë për të hyrë në institucion.

Sindikata e Minatorëve akuzon qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e statusit të minatorit, të cilin e rrëzoi me votë në seancën parlamentare të 2 shkurtit.

“Nëse qeveria dhe kryeminsitri janë të papërgjegjëshëm, është detyra jonë t’i kthejmë ato në “metro”, siç i thuhet, dhe kjo nuk bëhet duke i fërkuar shpatullat, por duke u treguar forcën e ligjit. Nëse këta na gjejnë neve dele, thikën në fyt do të na vënë. Ne na intereson haku ynë, e drejta jonë, shteti dhe Shqipëria jonë. Ke 30 minuta afat! Do të hyjmë forcërisht! Do të hyjmë forcërisht”, deklaroi në nisje të protestës kreu i protestuesve.

Minatorët i kanë lënë afat 30 minutash kryeministrit për t’i pritur e për të dëgjuar nga afër kërkesat e tyre. Pas kesaj, ata janë bërë gardh mes tyre duke shtyrë policët, e kanë tentuar të futen brenda. Policia ka ndërhyrë për t’i zprapsur dhe mes tyre ka akuza të ndërsjella.

“U mbush kupa, mjaft! Qeveri dil nga bunkeri. Hapeni rrugën, do të futemi brenda te zyra e Ramës dhe do të ulemi këmbëkryq. Hapeni rugën o kriminela, kërkojmë ligjin dhe jo Maliqin. Kërkojmë hakun, jo dajakun”,  thërrasin protestuesit.

Ata kërkojnë që pensioni minimal nuk duhet të jetë më pak se 175% të pagës minimale, kërkojmë përshkallëzimin e moshës së pensionit që sipas tyre është turp dhe faqja e zezë që një minator që ka punuar 12 vjet e gjysmë del 55 vjeç në pension dhe një që ka punuar 12 vjet e 5 muaj nuk del dhe 65 vjeç.

Ka edhe kërkesa të tjera pastaj në lidhje me trajtimin shëndetësor, ata që aksidentohen në punë, ata që humbin jetën në punë./b.l/noa.al/