Transmetuar më 21-03-2018, 11:33

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi mblodhi ditën e sotme Komitetin e Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për të intensifikuar përpjekjet ekzistuese për manaxhimin e përmbytjeve në Qarkun Shkodër.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes, Mesi tha se që prej datës 5 mars vazhdon pa ndërprerje angazhimi në terren i të gjitha strukturave të shtetit për përballimin e situatës së krijuar për shkak të kushteve të motit në Qarkun e Shkodrës.

Ajo bëri me dije se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë pasur prurje dhe nivele të larta prej disa ditësh, por përkeqësimi i situatës ka ndodhur, më datë 19 mars, duke filluar nga mëngjesi dhe në vijueshmëri gjatë gjithë ditës. Rritja e niveleve në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës ka shkaktuar dhe rritje të hartës së përmbytjeve.

Zv.Kryeministrja bëri me dije se vihet re se ka rritje të niveleve: Me rreth 32 cm të Liqenit të Shkodrës dhe me rreth 44 cm të lumit Buna. Si rrjedhojë sipërfaqja e totale nën ujë dhe e përmbytur ka arritur rreth 4216 ha në këto njësi: Njësia Administrative Dajç; Njësia Administrative Ana e Malit; Njësia Administrative Bërdicë; Njësia Administrative Velipojë; Njësia Administrative Rrethina; Në zonën e Livadheve Qyteti Shkodër; Njësia Administrative Guri i Zi.

“Për përballimin e kësaj situate, prej datës 05.03.2018 Forcat e Armatosura në total kanë angazhuar 373 forca, 73 mjete të kalueshmërisë së lartë si edhe motobarka, gomone dhe autobote uji. Janë në gatishmëri pranë qarkut Shkodër dhe mbi 150 Forca nga Policia e Shtetit me mjetet e duhura të kalueshmërisë së lartë për të mbështetur banorët e zonës”, u shpreh Mesi.

Më tej tha se Ministria e Mbrojtjes nga data 6 mars deri tani ka dërguar në Prefekturën Shkodër 70 ton ushqime për bagëti dhe nga rezervat e shtetit janë dërguar bazë tjetër ushqimore dhe uji i pijshëm për banorët.

“Sikurse e kam theksuar edhe në vizitat dhe inspektimet e mia të mëparshme në nën Shkodër që prej fillimit të situatës së përmbytjeve, menaxhimi i kësaj situate ka nevojë për bashkërendim të gjerë të të gjithë ministrive dhe autoriteteve vendore. Për këtë arsye, e kam thirrur sot më 21 Mars 2018 Komitetin e Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pasi vlerësoj që ka nevojë të intensifikojmë përpjekjet ekzituese për të manaxhuar situatën në shërbim të banorëve”, tha zv.Kryeministja.

Mesi bëri me dije se në mbledhje u diskutua situata si edhe përcaktuan kapacitetet njerëzore dhe logjistike të tjera që nevojiten krahas atyre të alokuara për përballimin e përmbytjeve në qarkun Shkodër dhe parandalimin e situatës më tej.

U vendos që të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për banorët dhe uji të pijshëm, edhe pse ujësjellësi funksionon në disa zona të prekura, është më mirë të mos përdoret.

Po ashtu u mor vendimi të shtohet furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë dhe të shtohen forcat në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre.

Ajo tha ndër të tjera se në këtë moment është e rëndësishme menaxhimi i situatës me të gjitha kapacitetet në dispozicion dhe se në fazën e rekuperimit është shumë e rëndësishme të evidentojmë dëmet dhe pasojat dhe të marrim masat për parandalim të mëtejshëm. /a.y/noa.al