Transmetuar më 20-03-2018, 13:56

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në simpoziumin e organizuar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, me temë “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh: “Jam i lumtur që jemi bashkë në këto momente feste të Sulltan Novruzit! E prita me kënaqësi të veçantë ftesën tuaj për të marr pjesë në Simpoziumin me temë: “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”

Në këto ditë gjithë vëmendja, përkushtimi dhe dashamirësia shkojnë për ju dhe besimtarët tuaj, pasi besimi që përfaqësoni dhuron përherë shpresë mirëkuptim, paqe dhe harmoni! Vlerësoj lart idenë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për të trajtuar në simpoziume të përvitshme tema dhe ide rreth doktrinës bektashiane, rolit të udhëheqësve të saj të ndritur dhe raportit të fesë dhe shoqërisë shqiptare”.

Më tej Meta shfrytëzoi këtë rast për të evidentuar harmoninë fetare që ka Shqipëria dhe rolin e bektashinjve në kultivimin e këtij atributi.

“Harmonia midis feve në Shqipëri është tashmë proverbiale ndaj ne krenohemi me të. Firmëtarët tanë të pavarësisë dhe themeluesit e shtetit shqiptar u kujdesën me largëpamësi që shteti shqiptar të ngrihej mbi të gjitha besimet dhe në rradhë të parë mbi unitetin kombëtar”, u shpreh Meta.

Ndërkohë kryegjyshi botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerësoi lart figurën e Imam Aliut si udhëheqës i betejave të mëdha.

“Imami ynë jo vetëm që diti të udhëheqë plot urtësi dhe durim të gjithë besimtarët në këto luftra të gjata me vite. Me jetën dhe veprën e tij, zbuloi të vërtetën e madhe se një jetë e tillë ja vlen të jetohet edhe nëse koha fizike e saj shkon nëpër dallgë humbjesh dhe fitoresh”, tha Brahimaj./b.l/noa.al/