Transmetuar më 20-03-2018, 10:15

Dalin detaje të reja lidhur me atentatin me armë zjarri të ndodhur gjatë natës së lënë pas, ku u ekzekutua me tre plumba në në derë të shtëpisë 32-vjeçari Elson Kosiqi.

Mësohet se viktima është ekzekutuar rreth mesnatës mes të hënës dhe të martës në oborrin e shtëpisë së tij, pak pasi e kanë thirrur në emër.

Por atentatorët e kanë pasur të lehtë të largohen, për shkak se shtëpia e viktimës ndodhet buzë rrugës kryesore, në Maqellarë të Dibrës.

Bëhet e ditur se Kosiqi nuk kishte shumë që ishte kthyer nga një udhëtim në Maqedoni, kur sapo kishte parkuar makinën dhe po hynte për në shtëpi, në momentin kur e vranë.

Vrasësit e kanë thirrur në emër dhe më tej kanë shkrepur pistoletën drejt tij, ku tre plumba e kanë goditur në gjoks.

Mësohet se Elsoni, i cili njihej ndryshe dhe si Elsi, kishte punuar për disa vite në Itali, ku bashkë me vëllezërit kishin ngritur një hotel në zonën e llixhave në Dibër.

Ai ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve dhe nuk rezulton të ketë patur probleme me drejtësinë. Kanë qenë familjarët ata që kanë dëgjuar të shtënat, duke gjetur mes pellgut të gjakut 32-vjeçarin.

Nga ana e policisë së Dibrës, janë ngritur pika kontrolli, si dhe po krihet e gjithë zona për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.

Sakaq në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova të mundshme që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes. /a.y/noa.al