Transmetuar më 19-03-2018, 14:25

Lionel Messi po shkëlqen në La Liga dhe Champions, por ndien që tani presionin e Kupës së Botës që po afron, ku Argjentinës së tij i duhet të triumfojë pas disa dështimeve radhazi. 

Messi deklaroi se kampionati i ardhshëm Botëror në Rusi, është shansi i fundit për të dhe shokët e tij të skuadrës për të fituar një Kupë Bote. 

Ylli argjentinas ka fituar gjithçka me Barcelonën duke mahnitur botën, por karriera e tij me Kombëtaren nuk njeh të njëjtën lavdi. Messi dhe Argjentina kanë vuajtur dështimin në tre finale të mëdha radhazi. Në Kupën e Botës 2014-të ku u mundën nga Gjermania si dhe në finalet e dy edicioneve të Copa America.

“Kam qarë shumë herë për shkak të ndeshjeve si këto, për finalet e humbura, atë që ato vlejnë dhe për faktin se nuk kam qenë i aftë të realizoj endrrën e një Kombi. Tre finalet e humbura ishin diçka e vështirë për tu pranuar”, u shpreh Messi.

Messi ëndërron të ngrejë lart trofeun e Kupës së Botës në Rusi, pasi Kombëtarja e tij humbi në kohën shtesë kundër Gjermanisë në Botërorin e 2014-ës në Brazil.

“Imagjinoj sikur jam në finale, e fitoj dhe ngre Kupën. Është ëndrra që kam pasur gjithmonë dhe sa herë afron një Botëror bëhet edhe më e fortë. Dua t’ju them njerëzve se shpresoj që të jetë një Botëror i madh për ne, se dëshira ime është e njëjtë me të tyrën, dhe se ne mund të përjetojmë dicka të ngjashme me 2014, por me ndryshimin që këtë herë të ngremë trofeun”, shtoi ai.