Transmetuar më 19-03-2018, 09:10

Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtare arriti të shkatërronte rrjetin e trafikantëve të klandestinëve që operonte brenda dhe jashtë vendit. E shkrirë në 7 grupe, ky rrjet kriminal dërgonte klandestinë në SHBA, Britani të Madhe dhe Kanada.

Por mësohet se megaaksioni “One Of By” është dekonspiruar nga një polic. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se bëhet fjalë për Adriatik Bakiasin.

Ndërkohë që në fillimet e operacionit kishte dyshime për dekonspirim, prandaj pala amerikane monitoronte operacionin dhe shpeshherë është bërë ndërrimi i taktikave, për të mos lejuar daljen e sekretit.

Ky monitorim ka sjellë edhe zbulimin e punonjësit të policisë, i cili është arrestuar mbrëmjen e kaluar. Mes të ndaluarve, rreth 40, mësohet se ka dhe zyrtarë dhe efektivë policie.

Operacioni u zhvillua i koordinuar në disa qarqe, për të bërë kështu të mundur arrestimin në të njëjtën kohë të pjesëtareve të grupit, ndërsa mendohet se pjesë e kësaj skeme janë më shumë se 60 persona.

Rreth 200 persona janë dërguar drejt Britanisë ndërsa 800 të tjerë në SHBA dhe Kanada. Këto 7 grupe kriminale kanë përfituar rreth 25 milionë dollarë nga trafikimi i emigrantëve.

Burime policore thanë se një pjesë e dokumenteve falsifikoheshin në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër jashtë vendit tonë. Qytetarët paguanin nga 15 deri në 20 mijë euro, në këmbim për të shkuar në një nga këto vende./b.l/noa.al/