Transmetuar më 18-03-2018, 12:18

Nga dita e nesërme në Shqipëri rikthehen temperaturat tipike të stinës së dimërit, edhe pse tashmë jemi në pranverë.

Sipas Insitutit të Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta.

Nga nesër do të vazhdojë rritja e prurjeve në pjesët e larta malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të vazhdojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna.

Parashikimet për ditët në vazhdim tregojnë rritje të prurjeve përgjatë datave 20, 21 dhe 22 Mars 2018. Pritet zgjerimi i hartës së përmbytjeve në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit.

Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim parashikohet rritje e prurjeve duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve.

Sot pasdite dhe nesër priten reshje në të gjitha qarqet. Në qarqet Dibër dhe Tiranë reshjet pritet të jenë intensive deri në lokalisht shumë intensive.

Në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri në lokalisht intensive. Në të gjithë qarqet reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Reshjet priten të jenë të dendura veçanërisht gjatë orëve të para ditës së nesërme.

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 10 / 12 °C

në vendet e ulëta: 10 / 11 °C

në vendet malore: 4 / 8 °C

Era pritet të fryjë mesatare deri në e fortë./m.sh/noa.al/