Transmetuar më 17-03-2018, 14:56

Këto janë pamjet e arrestimeve gjatë operacionit të policisë, për ndalimin e 39 personave, që merreshin me trafikim të qenieve njerëzore drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

I cilësuar si mega operacion, janë shkatërruar shtatë grupe kriminale, të cilët janë përgjegjës për trafikimin e më shumë se 1 mijë personave në vendet e sipërpërmendura.

I gjithë hetimi i zhvilluar me metoda speciale nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka zgjatur disa muaj.

Operacioni u realizua në koordinim me agjentët specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA, që janë atashuar në Tiranë, agjencitë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Patrullimit të Kufirit të SHBA-ve.

Partnerë të tjerë që kanë asistuar dhe kontribuar në këtë operacion janë Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë, SELEC, EUROPOL, Interpol, Policia e Kosovës, Policia Kombëtare Spanjolle, Policia Franceze, Policia italiane, etj. /k.k/noa.al/