Transmetuar më 17-03-2018, 14:26

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu doli sot në një konferencë për mediat ditën e sotme për të komunikuar shkatërrimin e 7 grupeve të strukturuara kriminale, në atë që ai e quajti mega-operacion.

Z.Veliu bëri me dije se mega-operacioni goditi shtatë grupe që vepronin në fushën trafikimit të qenieve njerëzore, duke trafikuar rreth 1 mijë  shqiptarë. 

Veliu tha se përgjatë natës së kaluar dhe gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është përmbyllur mega-operacioni i koduar “One If – By Land”, në kuadër të goditjes së kontrabandimit të personave me qëllim emigrimin drejt SHBA-ve, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

I gjithë hetimi i zhvilluar me metoda speciale nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka zgjatur disa muaj.

Operacioni u realizua në koordinim me agjentët specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA, që janë atashuar në Tiranë, agjencitë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Patrullimit të Kufirit të SHBA-ve.

Dogana dhe Mbrojtja Kufitare – Qendra Kombëtare e Targetimit, janë dy agjencitë që kanë asistuar në zhvillimin e hetimeve dhe realizimin e këtij operacioni.

Partnerë të tjerë që kanë asistuar dhe kontribuar në këtë operacion janë Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë, SELEC, EUROPOL, Interpol, Policia e Kosovës, Policia Kombëtare Spanjolle, Policia Franceze, Policia italiane, etj.

Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë, ShBA e Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e rreth 1 mijë personave, shtetas shqiptarë, në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-ve dhe Kanadasë.

Për çdo person paguhej nga 7 000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25 000 deri në 30 000 dollarë për në ShBA dhe Kanada.

Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumenta udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.

Ata përdornin itineraret Shqipëri- Itali- Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri- Francë- Mbretëri e Bashkuar;  Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republika Domenikane – SHBA/Kanada; Shqipëri – Spanjë – Amerika Latine – SHBA/Kanada. 

Lidhur me provat dhe faktet e grumbulluara me metoda speciale hetimi, Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë ka kërkuar në Gjykata dhe ka nxjerrë urdhra ndalimi për 51 shtetas shqiptarë të implikuar, nga të cilët janë ekzekutuar 39 të tillë dhe 12 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuar:

1. Ardian Corri, 47 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë

2. Luan Qyrku, 60 vjeç, banues në Tiranë

3. Eno Muçollari, 57 vjeç, banues në Tiranë

4. Ardian Gurakuqi, 58 vjeç, lindur në Elbasan e banues në Tiranë

5. Zaim Hysenbelliu, 57 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë

6. Arben Kajaçi, 49 vjeç, lindur e banues në Tiranë

7. Genci Osmanaj, 49 vjeç, lindur e banues në Tiranë

8. Oltjan Serani, 33 vjeç, lindur në Përmet e banues në Tiranë

9. Tanush Prenga, 48 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Laç

10. Liri Muçollari, 55 vjeçe, lindur në Çorovodë e banuese në Tiranë

11. Fuat Zaimi, 51 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë

12. Nikolin Priska, 49 vjeç, banues në Tiranë

13. Ylber Rama, 44 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë

14. Haki Tarja, 50 vjeç banues në Tiranë

15. Bedri Bendaj, 55 vjeç, lindur në Berat, e banues Tiranë

16. Erenik Avdyli, 30 vjeç banues në Tiranë

17. Nik Bushi, 65 vjeç, lindur e banues në Shkodër

18. Kolë Vushaj, 49 vjeç, banues në Malësi të Madhe.

19. Besnik Vuçaj, 49 vjeç, lindur në Shkodër, por rezident në Irlandë

20. Alfred Kalaj, 32 vjeç, banues në Malësinë e Madhe

21. Mhill Zefi, 42 vjeç, banues në Shkodër

22. Nosh Volaj, 45 vjeç, banues në Malësi e Madhe

23. Prel Gjelaj, 54 vjeç, banues në  Malësi e Madhe

24. Sokol  Duli, 49 vjeç, banues në  Lezhë

25. Euglen Dushku, 32 vjeç, banues në Lezhë

26. Leonora Dushku, 33 vjeçe, banuese në Lezhë

27. Roza Frroku, 40 vjeçe, lindur në Fier e banuese në Lezhë

28. Blerim Brahimi, 36 vjeç, banues në  Lezhë

29. Luigj Shtinja, 52 vjeç, banues në Kurbin

30. Esat  Cakoni, 52 vjeç, banues në Kurbin

31. Fatos Muja, 48 vjeç, banues në  Kukës

32. Kreshnik Muja, 35 vjeç, banues në  Kukës

33. Artur Karaj, 43 vjeç, banues në  Krujë

34. Kristian Zallinaj, 21 vjeç, banues në Shkodër

35. Mensur Selami, 53 vjeç, lindur e banues në Dubrovë – Peshkopi

Gjithashtu janë arrestuar edhe 4 punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar në pikat e kalimit kufitar, në kundërshtim me ligjin.

Ata janë Çelnik Maksuti 53 vjeç, lindur e banues në Pogradec me detyrë kontrollor në P.K.K.Qafë Thanë; Ilir Ismaili, 32 vjeç, lindur e banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në P.K.K.Qafë Thanë; Erjon Maxhari, 28 vjeç, lindur e banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në P.K.K.Qafë Thanë dhe Gjokë Uujkaj, 46 vjeç, lindur e banues në Shkodër, me detyrë kontrollor në P.K.K. Hani i Hotit Shkodër.

Njëkohësisht janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 12 shtetasve tjerë, të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, nga këta dy shtetas janë me shtetësi dhe kombësi bullgare B.S.,  I.F.,  S.H.,  E.K.,  P.K.,  S.K., SH.K.,  A.Ç.,  A.E., J.Sh., B.K., dhe M.V.

Gjatë kontrollit të ambienteve dhe vendeve të dyshuara që përdoreshin nga autorët, janë gjetur dhe sekuestruar disa prova materiale si 10 njësi qendrore kompjuteri; 8 printera lazer me ngjyra; 15 laptopë, 3 I-padë, 56 aparate telefonash, 17 automjete; 5 600 euro, 1 000 dollarë dhe 3 400 000 lekë, 5 pasaporta ndërkombëtare shqiptare.

Gjithashtu u sekuestrua dhe një sasi dokumentesh të ndryshme, si pasaporta e karta ID të kombësive të ndryshme, vula dhe elementë stampimi, një armë zjarri automatike model 56 dhe 13 fishekë dhe një armë gjahu.

Materialet hetimore në lidhje me ndalimin e këtyre personave dhe provat materiale të sekuestruara, janë vënë në dispozicion të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Hetimet për këtë procedim penal vijojnë në lidhje me persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. /a.y/noa.al