Transmetuar më 15-03-2018, 12:18

Instituti i Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bën me dije se edhe pse reshjet në vendin tonë kanë pushuar rreziku i përmbytjeve vijon ende. Nga llogaritjet hidrologjike rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta.

Në lumenjtë Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë nivele të larta të ujit me qëndrueshmëri të hartës së përmbytjes.

 Nesër do të fillojë rritja e prurjeve në pjesët e larta malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të fillojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna.

Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë rritje të prurjeve edhe përgjatë fundjavës duke zgjeruar hartën e përmbytjes në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës.

Sot pasdite nuk priten reshje. Nesër priten reshje në të gjithë territorin. Në qarkun Shkodër dhe Kukës reshjet pritet të jenë intensive deri në lokalisht shumë intensive. Reshjet priten më të dendura gjatë mesditës së nesërme.

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 9 / 17, në vendet e ulëta: 9 / 15 dhe në vendet malore: 3 / 12./m.sh/noa.al/