Transmetuar më 13-03-2018, 20:35

Në foto: Rex Tillerson (majtas) dhe Mike Pompeo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shkarkoi nga detyra, Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, duke e zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Analistët thonë se kjo është një lëvizje madhore në ekipin e sigurisë kombëtare ndërkohë që po zhvillohen negociata të rëndësishme me Korenë e Veriut.

Shkarkimi i Tilerson erdhi pasi më herët, z.Trump i kishte kërkuar shefit të diplomacisë amerikane që të jepte dorëheqjen.

Në këtë situatë, Sekretari i Shtetit, Tilerson kishte mbyllur para kohe një udhëtim në Afrikë për t’u kthyer dje në Uashington.

Duke e falënderuar Tillersonin për shërbimin e tij, z.Trump tha se sekretari i ri i Shtetit do të bëjë "një punë fantastike".

“Jam krenar që emëroj drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo si sekretar i ri i shtetit. Mike doli i pari i klasës në Akademinë Ushtarake West Point, është dekoruar për shërbimin ushtarak dhe ka mbaruar me nota të larta departamentin e juridikut në Harvard. Më pas ai ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, ku ka dëshmuar aftësinë për të bashkëpunuar me ligjvënës të partisë opozitare”.

Tillerson, ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës ExxonMobil, e kishte marrë detyrën më 1 shkurt të vitit 2017. 

Trump po ashtu emëroi Gina Haspelin për drejtore të CIA-s. Ajo do të bëhet gruaja e parë që drejton agjencinë amerikane të zbulimit ndërkombëtar.

Presidenti e komentoi kështu vendimin: “Gina Haspel, zëvendësdrejtore e CIA-s, do të emërohet për të zëvendësuar drejtorin Pompeo dhe do të bëhet e para grua që merr drejtimin e kësaj agjencie, gjë që shënon një moment historik. Mike dhe Gina kanë punuar së bashku për më shumë se një vit dhe kanë krijuar një respekt të ndërsjellë”. /noa.al/