Transmetuar më 13-03-2018, 20:30

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka 

Reforma në drejtësi si epilog tranzicioni

Iku janari e po del dhe marsi dhe reforma në drejtësi ende nuk po ia bën “bam”. Megjithatë, pritja ia vlen. Nuk është reformë dosido “flluskë sapuni” që degradon në retorikë për të shtyrë dhe ca statukuonë e abuzimit siç ka bërë politika jonë këto tre dekada por për një reformë që bashkë me hapjen e negociatave me BE sinjalizon dhe fundin e vetë tranzicionit. Të paktën kësaj rradhe shoqëria ka besim, qoftë nga fakti se SHBA është në mes ashtu dhe nga paniku dhe kundërvënia ekstreme që politikanët e përfolur po dëshmojnë çdo ditë.

Tranzicioni ynë, si njollë e zezë në historinë e demokracisë, si për nga shtrirja kohore ashtu dhe dramat njerëzore e social-ekonomike, e ka hak një “muze” rikujtese, njëlloj sikurse trumbetohen edhe muzetë e rikujtesës së monizmit. Por ndërsa për këtë të fundit, opinioni ndahet mes nevojës historike për reflektim dhe spekulimit politik si “antidot” ndaj nostalgjisë për vlera të djeshme që ekspozojnë dështimet në tranzicion, për damkosjen e tranzicionit e nevojën për demokraci reale, biem dakort të gjithë!

Për çerekshekulli politika mbolli apati qytetare dhe e bëri të kotë shpresën duke krijuar një rreth vicioz të abuzimit si “vlerë” dhe domosdoshmëri për mbijetesë! Ndaj që ndryshimi i madh të ndodhë, katalizator mbetet rikthimi i shpresës dhe për këtë më së pari duhet të bien “tabutë” në politikë dhe miti i pandëshkueshmërisë së klasës politike që mbetet proverbial.

Vetëm më pas shoqëria do të mund të ketë në dorë “mekanizmin” vetmbrojtës të qytetarisë dhe si kudo në perëndim, sheshet do i rikthehen qytetarit dhe nuk do të shpërdorohen më nga politika e ditës aq sa dhe kur kauza është reale, protesta paragjykohet që në fillesë. Përtej një reforme në drejtësi, ajo është shkundje e qytetarisë.

Një gjë që s’e “vret” e imunizon korrupsionin më tej!

E ndërsa të gjithë anatemojmë tranzicionin, fajin më së pari dhe më kryesorin për “mullarin” e problemeve e kemi vetë ne si shtet e shoqëri. Por ndërkohë, edhe perëndimi që mbetet model për ne, ka ç’të reflektojë. Që në mos mbylli një “sy”, dëshmoi dekada me radhë indiferencë fatale ndaj aspiratës demokratike të një shoqërie pa përvojë në demokraci.

Sot kjo reformë bart një lajm të mirë e të keq. Lajmi i mirë është se më në fund perëndimi po vë pikat mbi “i” dhe “timonin” po e mban vetë. I keqi është se pranuam se jemi të pazotë  dhe nuk kemi kapacitete për të sendërtuar shtet ligjor bazuar në vlera demokratike. Si në vitet 90, edhe pas tre dekadave, sërisht zgjidhja pritet nga perëndimi dhe si askund në botë, “pushteti i katërt” nuk është media, që me pak përjashtime mbetet kobure e politikës por “pushteti i ambasadorëve”!

E ndërkohë që u jemi mirënjohës partnerëve perëndimorë për vullnetin për t’i dhënë “dum” demokracisë e shtetit ligjor, shumë gjëra ata mund t’i kishin bërë edhe më herët. Reforma në drejtësi tregon se sovraniteti dhe parimi i mosndërhyrjes nuk mund të sillen si arsye prej perëndimit për “heshtjen” ndaj degradimit të tranzicionit shqiptar. Fundja, ishte ky perëndim që toleroi me dekada protagonistët autokrat të tranzicionit shqiptar, që etiketoi “burra shteti” e “yll në ngjitje” një takëm që sot janë kundërshtuesit më të ashpër të reformës në drejtësi dhe që kanë qenë, në mos të favorizuarit, partnerë politik shumëvjeçar të perëndimit zyrtar që asnjëherë nuk i bojkotoi, izoloi apo sanksionoi publikisht.  

Reforma në drejtësi po dëshmon se perëndimi ka “gurin” dhe “arrën” në dorë dhe po të donte, nuk e linte tranzicionin shqiptar të degradonte në këtë derexhe ku dëmi më i madh është degradimi i qytetarisë. Por, më mirë vonë se kurrë dhe gjëja e “falur” (demokracia dhe shteti ligjor për të cilin perëndimi po investohet dhe po ushtron presion sot) nuk ka pse përflitet sa kohë nuk jemi të zotët vetë. Dhe nëse kështu, aq sa i kuptueshëm është padurimi qytetar për ndryshimin e madh, po aq duhet të mirëkuptojmë dhe kohën që “qerrja” e perëndimit lyp për të futur korrupsionin në “lak”.

Perëndimi nuk po bën bllof dhe tani që e nisi, do e bitisi. Është në lojë interesi e besueshmëria e tij për të mos e lënë më këtë vend një “vrimë” të zezë ku zhduket paraja, interesi gjeopolitik dhe shpresa e nervi qytetar aq jetik në demokraci. Rrethanat e kanë sjellë që interesa të mëdha të vërtiten rreth një vendi të vogël ndaj dhe “shkopinjtë” e abuzimit të tranzicionit, edhe nga stepa e largët të vinë, nuk ia dalin dot “rrotës” së madhe të SHBA. Kaq ngjall besim.

* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale