Transmetuar më 13-03-2018, 20:11

Një tjetër shtetas rus ka humbur jetën në mënyrë misterioze në kryeqytetin e Britanisë, në Londër. Bëhet fjalë për një biznesmen që njihet si kritik i ashpër i presidentit Vladimir Putin.

Nikolai Glushkov, 68-vjeçar u gjet i vdekur nga miqtë në banesën e tij në Londër. Kjo ngjarje vjen vetëm një javë pas sulmit me agjent nervor ndaj spiunit të dyfishtë rus Sergei Skripal, ngjarje për të cilën Britania dyshon se u organizua nga Kremlini.

Para disa vitesh, në Londër u gjet i vrarë edhe miku i afërt i Glushkov,  oligarku i njohur rus Boris Berezovski, një kritik iI ashpër edhe ky i presidentit Putin.

Paraprakisht policia britanike po e trajton vdekjen e disidentit rus, si të “pashpjegueshme” ndërkohë që anti-terrori është përfshirë në hetimin e vdekjes.

68-vjeçari rus Nikolai Glushkov ishte dënuar me burg në mungesë në Rusi për akuzat e shpërdorimit të 87 milionë stërlinave në kohën kur ai ka drejtuar linjën ajrore ruse, Aeroflot. /a.m./noa.al/