Transmetuar më 13-03-2018, 16:53
Publicitet

Histori të ndryshme ku protagonist kanë qentë janë të shumta dhe përmes tyre është vërtetuar me qindra herë se ata janë mjaft besnikë ndaj të zotëve të tyre.

I tillë është edhe rasti i këtij “Haçiko” që jeton në Sao Paolo të Brazilit! Ky qen refuzoi që të largohet nga dera e një spitali në këtë qytet prej katër muajsh dhe arsyeja është prekëse.

Ai priste të zotin e tij, një i pastrehë që ndërroi jetë katër muaj më parë si pasojë e një sulmi me thika.

“Qeni rri tek dera e spitalit prej katër muajsh. Kur kalojnë njerëz u shmanget me delikatesë pak centimetra dhe rikthehet sërish në pritje të të zotit që ka ndërruar jetë”, shkruan në Facebook avokatja, Cristina Sardella.

Pak ditë pas postimit të avokates, dhjetëra familje u vetëofruan për adoptimin e tij. Përpjekjet fillestare hasën në rezistencën e qenit, që më pas u dorëzua.

Banorët lokalë thonë se i pastrehu dhe qeni ndanin bashkë të njëjtën shtëpi; rrugën. Ata ishin të pandashëm në çdo hap prej disa vitesh. Fotot e qenit besnik u bënë virale pas publikimit nga një avokate./b.l/noa.al/