Transmetuar më 10-03-2018, 13:09
Publicitet

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës dhe ku më shumë se në Elbasan gatuhet më mirë dhe me shumë shije. Në fakt, tradita e do që ballokumet të rrihen në enë bakrri nën kujdesin e amvisës elbasanase, e cila hedh sasinë e duhur të produkteve.

Vitet e fundit, ballokumet, janë gatuar e tregtuar gjithandej nëpër Shqipëri, por shija e tyre e vërtetë mund të dallohet vetëm në qytetin që i krijoi. Sot, rënia e cilësisë së produkteve ka bërë që edhe ballokumet mos të jenë ato të dikurshmet megjithatë, ne po i përmbahemi recetës klasike. Këshillojmë të përdoren përbërës të freskët fshati.

Përbërësit: 1 kg miell misri, 500 g gjalpë i freskët, 8 kokrra vezë, pak finjë zjarri, 500 gr sheqer pluhur.

Përgatitja: Të gjithë përbërësit përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një lugë druri.

Me pas hidhen vezët një e nga një ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e miellit të misrit. Mielli i misrit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë.

Në masën e formuar hidhet pak finjë zjarri. Rrahja duhet të bëhet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret më lugë druri dhe vendoset në topa në tepsi dhe futet në furrë. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve./b.l/noa.al/