Transmetuar më 19-02-2018, 17:12

Komisioni Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për një president të përbashkët Shqipëri- Kosovë.

Në reagimin e saj KE sqaron se kjo mund të interpretohet si ndërhyrje politike, ndërsa theksohet se deklarata e Ramës nuk ndihmon për një fqinjësi të mirë. Ajo është shprehur pro mbështetjes së pajtimit të vendeve të Ballkanit.

"BE ka mbështetur vazhdimisht parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Këshilli Evropian ka theksuar mbështetjen e tij të padiskutueshme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ne do vazhdojmë të punojmë me vendet e rajonit. 

Deklaratat të cilat mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Bashkimi Evropian pret që vendet në të gjithë rajonin të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie bashkëpunuese dhe konstruktive dhe të përqendrohen në intensifikimin e punës në të gjithë programin e reformave përkatëse për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian", u shpreh zëdhënësja e Komisionit Evropian Catherine Ray.

Gjatë fjalimit të tij ditën e djeshme, Edi Rama tha se Shqipëria e Kosova mund të kenë një president të përbashkët pas 10 vitesh.  Disa politikanë serbë kanë kërkuar që Rama të shpallet "non grata" në Serbi pas komenteve të fundit. Kurse nga kjo deklaratë ka përfituar edhe Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin duke thënë se shqiptarët kanë synim Shqipërinë e Madhe./b.l/noa.al/