Transmetuar më 19-02-2018, 13:07

Aksidenti tragjik me 3 viktima dhe 4 të plagosur ka tronditur banorët e Velipojës, të cilët shprehen të shokuar se nuk kanë parë ngjarje të tillë për gjysmë shekulli.

Dëshmitarët e aksidentit tragjik të tronditur janë shprehur se kanë parë tmerr me sy, teksa fëmijët kërkonin nënën e tyre ndërsa ajo bërtiste me të madhe ku e kam djalin.

“Dje pamë tmerr me sy. S’më kishte ndodhur kurrë që të shihja aksident aq të rëndë. Llahtari e vërtetë. U tmerruam, pamë pamje të tmerrshme. Fëmijët kërkonin vetëm nënën. Nëna thërriste; ‘ku e kam djalin’. I kemi dhënë ndihmë. Kemi marrë batanije dhe kemi mbuluar viktimat dhe të plagosurit. Më pas kemi ndihmuar që ata të futen në ambulancë dhe të dërgohen në spital", tregojnë dëshmitarët.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, ku u përplasën një makinë tip ‘Alfa Romeo’ me targa AA474NJ me drejtues Edmond Preka 40 vjeç, me mjetin ‘Fuoristradë’ me targa AA 292 OL me drejtues Sokol Muja.

Por si pasojë e përplasjes gjeti vdekjen Edmond Preka, vajza e tij Ajsel 5 vjeçe dhe djali Rajan vetëm 9 muajsh. Në gjendje kritike ndodhet vajza tjetër e 40-vjeçarit, Noem Preka 10 vjeçe, e cila ndodhet në spitalin e Shkodrës.

Sakaq në gjendje të rëndë, ndodhet edhe bashkëshortja e Edmondit dhe nëna e tre fëmijëve, Evisa Preka 36 vjeçe. Të plagosur nga aksidenti kanë mbetur edhe personat që udhëtonin në makinën tip “Fuoristradë”, Sokol Muja dhe Andrea Gjergji.

Rrethanat e këtij aksidenti të ndodhur në një rrugë pa ndriçim janë ende të paqarta, por duket se përplasja ka qenë aq e fortë sa e ka bërë të pamundur shpëtimin e tre të miturve dhe kryefamiljarit të familjes Preka.

Ndërkohë dyshohet se ka qenë parakalimi i gabuar i njërës prej makinave, që i ka marrë jetën babait dhe dy fëmijëve, djalit 9 muajsh dhe vajzës 5 vjeçe. Ndërkohë policia vijon hetimet në vendngjarje, ku ka larguar makinën tip "Fuoristradë", të cilët e kanë dërguar në stacionin e policisë në Velipojë, aty ku është dërguar dhe makina tjetër e përfshirë në aksident "Alfa Romeo"./b.l/noa.al/