Transmetuar më 18-02-2018, 16:54
Publicitet

Duke nisur nga data 1 mars 2018, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor do të nisë aplikimin e rregullave të reja në lidhje me testimin e shtetasve që duan të pajisen me leje drejtimi për automjete.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor bën me dije se është hartuar pyetësori i ri për lejedrejtimi të kategorisë, A1, A2, B1, dhe B 2018.

Sipas njoftimit zyrtar "duke filluar nga data 01.03.2018 e në vazhdim në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në testimin e kandidatëve për lejedrejtimi, do të aplikojnë testet e reja të formuluara sipas strukturës së miratuar me Udhëzimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës nr.682/4, datë 01.04.2016”.

Rregullat e reja të testimit kanë të bëjnë me ndryshimin e pyetësorit qe duhet të plotësojnë kandidatët për pajisje me lejen e drejtimit.

Sipas këtyre burimeve, ndryshimet në procedurën e pajisjes me patentë kanë për qëllim thjeshtimin e pyetjeve por edhe formulimin e tyre në një mënyrë që të përgatisin më mirë drejtuesit e mjeteve.

Pyetësori i ri i testimit mësohet se është më i thjeshtuar dhe i përqendruar në njohjen më të mirë të rregullores dhe të sinjalistikës rrugore.