Transmetuar më 17-02-2018, 14:25

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e quajti vitin 2017 një vit jo pozitiv për Lezhën sa i takon situatës së kriminalitetit.

Në një prononcim për median, pas analizës vjetore, Xhafaj tha për gazetarët se policia ishte e vendosur për të goditur grupet kriminale ndërsa shprehu shqetësim për abuzimet që janë bërë me pronat në bregdet.

“Shkaktarët do të vendosen para drejtësisë. Ka një punë të nisur për përbërjen dhe asetet e grupeve kriminale. Jemi të vendosur për të goditur grupet kriminale”, premtoi Xhafaj.

Ministri i Brendshëm e cilësoi si tregues pozitiv të policisë së Lezhës angazhimin e saj për luftën kundër kanabisit si dhe menaxhimin e sezonit veror ndërsa beson se vettingu do të rrisë besueshmërinë e qytetarëve.

“Përmes vettingut në polici synojmë të rrisim besimin brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Kemi si qëllim të rrisim besueshmërinë e qytetarëve te policia”, tha Xhafaj.

Teksa u ndal tek vrasjet pa autorë, siç është edhe ekzekutimi i Aleksandër Ndokës, vëllait të ish- deputetit socialist të PS-së Arben Ndoka, Xhafaj tha se prokuroria po heton.

“Dhe kjo bën pjesë në atë që sapo shpreha. Janë dy ngjarje të tilla që po hetohen dhe me prokurorinë për rezultate konkrete, për identifikimin e autorëve përgjegjës. Ngelen njerëzit e prokurorisë që të thonë fjalën e tyre”, pohoi ai.

Image may contain: 3 people

I PLOTE

Prononcimi për mediat i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë:

Ministri Xhafaj: Konstatoj që ka disa arritje, ka disa suksese në punën e policisë, disa ndryshime pozitive në punën e policisë të qarkut të Lezhës. 

Por nga ana tjetër shoh me shqetësim që ka edhe disa probleme në aspektin e treguesve ë kriminalitetit. 

Viti 2017 nuk ka qenë një vit fort pozitiv për Lezhën nga ky aspekt, ashtu siç mund të konstatoj tregues pozitivë për sa i përket luftës kundër kanabisit, menaxhimit të sezonit të veror, luftës për evidentimin dhe goditjen e disa grupeve kriminale dhe aseteve të tyre, mund të them që ende ka vend për të përmirësuar treguesit e kriminalitetit.

Theksova sot në takim me ta që ne jemi të fokusuar fort në tre prioritete të rëndësishme.

Prioriteti numër një për ne, dhe ai më kryesori është çështja e integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, të organizatës së Policisë së Shtetit, integritetit moral dhe profesional të Policisë, gjë që do të jetë pjesë dhe qëllim edhe i procesit të Vettingut që kemi ndërtuar dhe pritet të fillojë së shpejti, dhe që synon, nga njëra anë forcimin e besimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër, rritjen e eficiencës së tyre në zbatimin e ligjit dhe rritjen e besueshmërisë së qytetarëve te policia.

Theksova gjithashtu fort një prioritet tjetër të rëndësishëm që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale, duke e konsideruar këtë një fushë të rëndësishme ku do të duhet të fokusohet puna e strukturave vendore të policisë në Lezhë dhe veçanërisht strukturave të Policisë kriminale. 

Është e vërtetë që ka një punë të mirë, të nisur, për identifikimin e këtyre grupeve kriminale, të përbërjes së këtyre grupeve kriminale dhe të aseteve kriminale të krijuara prej tyre nga veprimtaria kriminale që kanë ushtruar këtu në Lezhë dhe jashtë vendit. 

Kur them në Lezhë nuk kam parasysh vetëm bashkinë Lezhë, por kam parasysh edhe Kurbinin posaçërisht, por edhe Mirditën dhe në kuadrin e operacionit "Forca e Ligjit", ky do të jetë fokusi kryesor. 

Ne duam dhe jemi të vendosur për t’i goditur fort këto grupe kriminale, por njëkohësisht për t’u prerë atyre dhe lidhjet ekonomike dhe asetet ekonomike që kanë vendosur apo që i kanë si mjet dhe si instrument për të ushtruar veprimtari kriminale. 

Shpresoj që të kemi lajme të mira dhe të kemi rezultate të mira në muajt në vijim edhe në Lezhë, siç kemi pasur në Shkodër, në Tiranë, në Durrës dhe në shumë qarqe të tjera.

Theksova gjithashtu dhe një prioritet tjetër të rëndësishëm që do të jetë besoj një gjë shumë pozitive për qytetarët e Lezhës dhe të mbarë vendit, fakti që ne jemi duke bërë një riorganizim të ri policor që synon një kontroll më të mirë të territorit dhe një marrëdhënie të re të policisë me qytetarët. 

Sepse duam që të forcojmë praninë e policisë në territor, komunikimin e drejtpërdrejtë të oficerëve të policisë së komunitetit me banorët, në mënyrë që qytetarët të njohin kush është polici që i shërben, dhe nga ana tjetër, strukturat tona policore që shërbejnë në territor, në komunitet, të njohin dhe t’u shërbejnë më mirë njerëzve që janë vendosur në atë komunitet. 

Dhe kjo gjithashtu do të na ndihmojë ne për të kontrolluar, dhe jo thjesht për t’u ardhur më shpejt në ndihmë posepo qytetarëve për problematikat, por për t’i shërbyer më mirë parandalimit të krimit, në mënyrë të veçantë në moshat e reja dhe për të qenë më të vëmendshëm ndaj krimeve në mjedis, ndërtimeve të paligjshme dhe për të siguruar më shumë shërbim ndaj qytetarëve në jetën e tyre të përditshme. Këto ishin prioritetet që theksuam.

Pyetje: Keni paralajmëruar arrestime të bujshme në Lezhë, kur do të kemi?

Ministri Xhafaj: Unë nuk paralajmëroj arrestime. Unë jam Ministër i Brendshëm që drejtoj, për sa mua më takon, orientoj, drejtoj policinë. 

U takon strukturave të Policisë dhe pastaj strukturave të Prokurorisë që të marrin masat e duhura në konkluzion të hetimeve intensive që janë duke u zhvilluar për grupet kriminale, por edhe për një fushë tjetër të rëndësishme siç është abuzimi me pronën publike. 

Dua t’ju them që jam i shqetësuar, ua thashë edhe njerëzve të Policisë për disa abuzime që janë bërë me tokat këtu, me pronën publike, me vijën bregdetare në zonën e Lezhës posaçërisht.

Besoj që hetimet që janë duke u zhvilluar, janë në proces, besoj që do të jenë eficiente, do të jenë të suksesshme. 

Janë hetime që po bëhen bashkë me Prokurorinë këtu dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dhe unë shpresoj dhe besoj fort që shkaktarët e kësaj batërdie do të vendosen përpara përgjegjësisë penale.

Pyetje: Z.MInistër, ju thatë që 2017-a nuk ishte pozitive për krimin në Lezhë, nga referoheni dhe përsë kjo?

Ministri Xhafaj: Jo, duhet të them që treguesit e përgjithshëm të kriminalitetit, pra krimet të marra për frymë, për banor, nuk e rendisin Lezhën në qarqet me tregues pozitivë. 

Por nga ana tjetër thashë gjithashtu që i njoh disa merita trupës së Policisë këtu që kanë të bëjnë me luftën kundër kanabisit, menaxhimin e sezonit veror si dhe goditjen e disa grupeve kriminale. Por kjo nuk është ajo që ne do të dëshironim të shihnim. 

Pra ta bëjmë dallimin qartë, jo se nuk ka tregues pozitivë, por pritshmëria është më e lartë.

Pyetje: Disa ngjarje kanë ndodhur në Lezhë, konkretisht vrasje, janë pa autor, çfarë do të bëhet?

Ministri Xhafaj: Kjo bën pjesë pikërisht në atë që sapo shpreha që ne kemi pritshmëri më të larta. 

Janë dy ngjarje të tilla për të cilat është duke u hetuar në bashkëpunim me Prokurorinë dhe shpresoj që të ketë rezultate konkrete për identifikimin e autorëve përgjegjës.

Natyrisht është një proces hetimi dhe u mbetet njerëzve që merren, në polici dhe në prokurori që të thonë fjalën e tyre.

Xhafaj porosi policëve nga Shkodra: Kapni kriminelët, jo hallexhinjtë që ndërtojnë çati