Transmetuar më 13-02-2018, 14:49
Publicitet

Për 60 familje të komunitetit rom në Shkozë ëndrra e të pasurit një shtëpi të re, të ngrohtë, ku mund të rrisin fëmijët e tyre, është bërë realitet. Deri para pak ditësh, këto familje jetonin në kushte aspak dinjitoze, kurse sot, falë projektit “New House - New Life” i financuar nga Bashkia e Tiranës dhe IADSA, kanë një banesë të re.

Pas shtëpive të reja për 60 familjet rome në Lanabregas, të cilat u shpërndanë muajin e kaluar nga Bashkia e Tiranës, dhe 60 familjeve të tjera të po këtij komuniteti që morën sot shtëpitë në Shkozë, Tirana është qyteti i parë që i jep zgjidhje të qëndrueshme strehimit të kësaj shtrese të shoqërisë. 

“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur diçka, e cila ka qenë gangrenë për qytetin tonë për vite të tëra. Në 27 vjet mund të jenë bërë 270 kronika vetëm për këtë komunitet. Por, sot e them me krenari se jemi qyteti ose kryeqyteti i vetëm në Europë, që nuk ka një komunitet rom që jeton në një lagje me tenda në territorin e qytetit. 

Ta arrish këtë në një vend si Shqipëria, do të thotë se kemi shumë dinjitet. S’do të thotë të jesh i pasur për të pasur dinjitet, do të thotë që të vendossh të gjithë energjinë e donatorëve dhe qeverisë për të arritur diçka të bukur”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se ky projekt krijon një model funksional dhe efikas jo vetëm për strehim, por edhe për integrimin e plotë të këtyre komuniteteve dhe garantimin e kushteve më të mira të jetesës. “Jam shumë i lumtur që jemi sot te shtëpia e Yllit dhe Netës, është vetëm një nga çiftet e 60 familjeve të komunitetit rom që janë sistemuar në banesat e reja në Shkozë. 

Në fakt, janë 60 familje, por gjithsej bëhen 280 banorë, ku shumica më e madhe janë engjëjt e vegjël, çunat dhe gocat e bukur dhe shumë të zgjuar me mësime, të komunitetit të Shkozës”, tha Veliaj, duke nënvizuar se ky projekt i ka dhënë shumë kënaqësi dhe emocion, sepse i jep zgjidhje një problemi të mbartur prej vitesh në Tiranë, për një nga shtresat më të vuajtura të shoqërisë tonë./b.l/noa.al/

Loading...