Transmetuar më 13-02-2018, 10:30

Në ditën e dytë të punimeve e sesionit të 12 të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, kryetarja e delegacionit të përbashkët BE-Shqipëri, Monica Macovei, bëri deklarata të forta lidhur me rastet e hetimeve të krimit dhe korrupsionit.

Duke folur paraditen e sotme, ajo tha se ka një numër të madh hetimesh, por nuk ka shumë ndjekje penale.

“Procesi në vetvete kërkon kohë, por duhet bërë shumë punë. Duhet të vazhdoni të punoni në këtë drejtim. Për të ndihmuar në zhvillimin e vendit opozita dhe mazhoranca duhet të kuptojnë se korrupsioni çon në varfëri. Sikur është sistemi shëndetësor. Korrupsioni e ndërlikon jetën, e bën më të vështirë, humb besimin e njerëzve te institucionet, i bën njerëzit të mos e pëlqejnë fare klasën politike”, u shpreh Macovei.

Ajo shtoi se Bashkimi Europian pret nga Shqipëria përpjekje dhe rezultate të matshme dhe jo krahasime me të kaluarën.

Lidhur me problematikën zgjedhore deklaroi se nuk duhet bërë presion dhe nuk duhet përdorur administrata.

“Mes rekomandimeve të OSBE-ODHIR, autoritetet duhet të merren me reformën zgjedhore, është shumë e rëndësishme, që të ecet përpara. Duhet të ketë harmonizim, sa i përket medias dhe fushatës, duhet të jenë të gjithë bashkë për zbatimin e reformave dhe jo të ndodhë e kundërta. Një ligj zgjedhor ndihmon çdo vend dhe për ne është e rëndësishme të punojmë të gjithë së bashku, të bëhen ndryshime në ligje”, u shpreh Macovei. Sipas saj, reforma zgjedhore duhet të korrigjohet.  /a.y/noa.al