Transmetuar më 13-02-2018, 09:08
Publicitet

Shkatërrohet një grup që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave në kryeqytet, duke u vënë në pranga tre persona të dyshuar.

Operacioni i policisë u kurorëzua gjatë ditës së djeshme, e hënë, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 68 doza kanabis sativa.

Të arrestuarit janë Isuf Haka, 32 vjeç, Jurdjan Kondili, 19 vjeç, banues në Tiranë, të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim” dhe Armando Durishti, 26 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimit të krimit dhe përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

Pas informacioneve të siguruara nga policia në vijim të hetimeve që zgjasnin prej kohësh, ka rezultuar se Jurdjan Kondili dhe Isuf Haka në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së vazhdueshme të lëndëve narkotike të dyshuar pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, duke përdorur banesën e Armando Durishtit.

Tre të rinjtë u kapën në flagrancë në rrugën “Frederik Shiroka”, në afërsi të një shkolle, ku gjatë kontrollit fizik Isuf Hakës iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 10 dozash kanabis sativa.

Gjithashtu gjatë kontrollit në një banesë të marrë me qira nga Durishti në rrugën “Frederik Shiroka”, në afërsi të një shkolle iu gjet dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 doza qese farmaceutike brenda së cilës gjendet lëndë narkotike kanabis sativa.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim parashikuar”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”. /a.y/noa.al