Transmetuar më 12-02-2018, 14:32

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në ambientet e gjimnazit Qemal Stafa në Tiranë, ku ka bërë të ditur nismën e re të qeverisë për sigurinë në shkolla. Ai këtë nismë e ka quajtur “Shkolla të sigurta për fëmijët tanë”. Sipas Ramës në çdo shkollë do të jetë figura e oficerit të sigurisë, i cili do të ketë detyre garantimin e sigurisë maksimale në çdo shkollë.

“Së shpejti do të ketë oficerë në çdo shkollë. Oficerët e sigurisë do të jenë të gjithë persona të shkolluar që do të kenë kaluar edhe akademinë e sigurisë, persona të trajnuar posaçërisht në këtë detyrë, që nuk është një detyrë policie, por një detyrë shumë më e lidhur me bashkëpunimin brenda komunitetit dhe do të jenë miq të mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Pra do të kompensojnë një boshllëk që prindërit, mësusesit dhe nxënësit nuk e mbushin dot”, u shpreh Rama.

Më tej ai theksoi se oficeri i sigurisë ose oficerja do të vendosen fillimisht në 15 shkolla si pjesë e parë e zbatimit të programit për të parë të përditshem duke nisur nga muaji marsi, funksionimin për të nxjerrë mësimet dhe duke u shtrirë në të gjithë rrjetin e gjimnazeve.

“Figura e oficerit të sigurisë, që nuk është një polic, i bashkëngjitet trupës së shkollës dhe prindërve si figurë kujdestari për mbarëvajtjen e bashkëjetesës jashtë klasës, në oborrin dhe marrëdhënien me jashtë. Pra një urë komunikimi qoftë mes nxënësve, mësuesve e nxënësve dhe mësuesve-nxënëse-prindërve”, shtoi ai.

Ndërsa ministrja Lindita Nikolla deklaroi se të gjithë oficerët e sigurisë do të jenë me integritet të lartë. “Shpresoj dhe besoj se do të jenë modele shumë të mira në jetën dhe aktivitetin e tyre. Do të bëhet e mundur siguria maksimale në shkolla”, u shpreh Nikolla./b.l/noa.al/