Transmetuar më 11-02-2018, 11:05

Partia Demokratike ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Energjisë dhe Transporteve, Damian Gjiknuri në lidhje me koncesionin për inceneratorët e djegies së mbetjeve. Kërkesa drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, është nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, për seancën e 14 shkurtit.

"Muajt e fundit, Partia Demokratike, mediat dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë bërë publike një sërë dokumentesh që ngrenë hije dyshimi mbi koncesionet e dhëna nga qeveria për inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Mënyra se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë", thuhet në letër.

Gjithashtu, Spaho thotë se njëra prej kompanive që ka fituar koncesionin e "inceneratorëve është e regjistruar në Parajsat Fiskale të Vendeve të Ulëta (Holandës) duke shtuar edhe më dyshimin për një aferë korruptive që do të ketë pasoja të rënda jo veç në financat e buxhetit të shtetit, por edhe në shëndetin e shqiptarëve".

Spaho thotë se kompanisë për impiantin e mbetjeve në Fier i janë dhënë 5.2 milionë euro, ndërsa ajo nuk ka filluar ende punë, ndërsa shton se OSHE-së do të detyrohet t’i blejë energjinë me një çmim të përcaktuar nga ky ent dhe rrjedhimisht sipas tij, do të ketë rritje të energjisë për qytetarët.

"Sot, kompania që ka fituar në mënyrë të dyshimtë koncesionin e inceneratorëve ka përfituar nga buxheti i shtetit 5.2 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Fier, ndonëse ky i fundit nuk ka nisur akoma punën e banorët janë në protestë. Gjithashtu nga të dhënat e kontratës të bëra publike rezulton se qeveria do të detyrojë OSHEE që të blejë me një çmim të përcaktuar energjinë nga ky ent. Rrjedhimisht, shoqëria koncesionare do të përfitojë edhe nga shitja e energjisë elektrike, përpos përfitimeve të tjera, duke rënduar eventualisht edhe me rritjen e çmimit të energjisë për publikun", thuhet gjithashtu në letër.

KËRKESA E PLOTË

Drejtuar: Zotit Gramoz Ruçi

Kryetar i Kuvendit

Kërkues: Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Objekti: 1) Kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë.

2) Përfshirja e interpelancës si pikë e parë e rendit të ditës së seancës plenare të datës 14.02.2018.

Baza Ligjore: Neni 7 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, si dhe neni 97 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Politika e ndjekur nga qeveria e Shqipërisë në lidhje me koncesionet ka qenë e mbuluar vitet e fundit me hije dyshimi të lidhjeve personale mes anëtarëve të qeverisë dhe bizneseve përfituese. Aq të forta kanë qenë këto lidhje, sa që jo rrallë herë edhe e mira publike dhe shëndeti i shqiptarëve është vendosur, e vazhdon të vendoset, në rrezik prej këtyre koncesioneve. Muajt e fundit, Partia Demokratike, mediat dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë bërë publike një sërë dokumentesh që ngrenë hije dyshimi mbi koncesionet e dhëna nga qeveria për inceneratorin e Elbasanit,Fierit dhe Tiranës. Mënyra se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë. 

Përpara disa javësh kryetari i opozitës si dhe deputetë të tjerë kanë denoncuar këto veprime arbitrare që janë tërësisht të paligjshme dhe që ndikojnë në shëndetin e qytetarëve, por edhe në buxhetin e shtetit. Konkretisht, rezulton se një individ i vetëm i ndërlidhur me disa kompani në mënyrë të tërthortë apo të dukshme ka qenë përfituesi i vetëm i tre inceneratorëve. Gjithashtu, vërehet se praktika e ndjekur nga qeveria për dhënien e koncesionit në fjalë është abuzive, pasi është kompania e krijuar pak ditë përpara fitimit të këtij koncesioni që ka paraqitur një propozim të pakërkuar, dhe kompania nuk ka asnjë kontratë të ngjashme në këtë sektor. Duke ngritur kësisoj hije dyshimi mbi mënyrën e dhënies së tij. Sakaq, njëra prej kompanive që ka fituar koncesionin e inceneratorëve është e regjistruar në Parajsat Fiskale të Vendeve të Ulëta (Holandës) duke shtuar edhe më dyshimin për një aferë korruptive që do të ketë pasoja të rënda jo veç në financat e buxhetit të shtetit, por edhe në shëndetin e shqiptarëve. Sot, kompania që ka fituar në mënyrë të dyshimtë koncesionin e inceneratorëve ka përfituar nga buxheti i shtetit 5.2 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Fier, ndonëse ky i fundit nuk ka nisur akoma punën e banorët janë në protestë. Gjithashtu nga të dhënat e kontratës të bëra publike rezulton se qeveria do të detyrojë OSHEE që të blejë me njëçmim të përcaktuar energjinë nga ky ent. Rrjedhimisht, shoqëria koncesionare do të përfitojë edhe nga shitja e energjisë elektrike, përpos përfitimeve të tjera, duke rënduar eventualisht edhe me rritjen e çmimit të energjisë për publikun.

Rreth këtij skandali të përmasave të paimagjinueshme nuk ka pasur asnjë reagim në përputhje me detyrimet që i burojnë nga ligji nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu na duhet të vëmë në dukje se ministria nuk i është përgjigjur shkresave të drejtuara nga deputetët e opozitës duke e thelluar edhe më skandalin. Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për heshtjen e pashpjegueshme dhe të paargumentuar të autoriteteve përgjegjëse. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit së një vendi kandidat për në Bashkimin Europian, që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik dhe mbi të gjitha të bëjë transparente për kuvendin dhe publikun kushtet në të cilat janë zhvilluar procedurat dhe si janë lidhur e termat e kontrateve. 

Në këto kushte, në përputhje me nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Një Kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojë zhvillimin e një interpelance për çështje urgjente”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi skandalin e procedurave të koncesionit të inceneratorëve, që kapin vlerën e miliona eurove dhe rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve.

KËRKOJMË:

Zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, për të raportuar në lidhje me informacionet zyrtare të koncesioneve të inceneratorëve Elbasan, Fier dhe Tiranë. 

Kjo kërkesë e opozitës parlamentare, bazohet edhe në nenin 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nën dritën e këtij parimi, merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, i cili nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik, brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete. Të gjitha çështjet që përmbajnë në vetvete një interes publik përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar. Në këtë rast, ligjshmëria në veprimtarinë e dhënies me koncesion nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përdorur paratë e buxhetit jo për qëllime kriminale, por në dobi të qytetarëve shqiptarë, është një nga detyrat themelore të organeve publike të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, deputetët kërkues e vlerësojnë të nevojshme zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

Duke qenë se kjo çështje përbën shqetësim madhor dhe një çështje me natyrë urgjente për opozitën parlamentare, si dhe në kushtet e një mungese tërësore të reagimit, veprimit apo sqarimit të rrethanave nga Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë, në mbështetje të paragrafit 2 të nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet se: “Interpelanca për çështje urgjente, si rregull, depozitohet në Kuvend jo më vonë se dita e hënë në orën 14.00 dhe ajo zhvillohet si pikë e parë e rendit të ditës në një nga seancat plenare të javës në vijim”, 

Kërkojmë:

Përfshirjen e kësaj kërkese për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë në rendin e ditës të seancës së datës 14.02.2018. 

Interpelanca në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike do të zhvillohet nga deputetja Jorida Tabaku.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho.