Transmetuar më 07-02-2018, 16:11

Mushkonja “aedes aegypti”, bartëse e një sërë sëmundjesh tropikale që nga virusi Zika e deri tek ethet e verdha, është fare pranë kontinentit europian.

Është ky alarmi i lëshuar këtë të martë nga Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve (Ecdc), e cila fton vende nga Bashkimi Europian, që të forcojnë sigurinë lidhur me mushkonjat.  

Sipas ekspertëve, që nga viti 2007, kjo specie jeton në Madeira, pranë Detit të Zi dhe pranë brigjeve turke.

Në vitin 2017, kjo mushkonjë u shfaq dhe në Egjipt, ndërsa në Spanjë, është parë shumë rrallë në ishujt Kanarie, shkruan noa.al.

“Nëse nuk do të merren masat e duhura, mushkonja do të përhapet edhe në zona të tjera të Europës, duke u kthyer në problem serioz për kontinentin”, thuhet në deklaratë.

Çfarë janë ethet e verdha

Ethet e verdha përhapen te njerëzit nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Njerëzit nuk mund ta përhapin virusin te njëri-tjetri me kontakt të zakonshëm, por infeksioni mund të transmetohet në mënyrë direkte në gjak me anë të gjilpërave .Ethet e verdha e kanë marrë emrin nga dy simptomat më të dukshme: Ethet dhe verdhëza. Te disa njerëz, ethet e verdha nuk kanë simptoma fillestare, derisa te të tjerët, simptomat e para shfaqen brenda disa orësh e deri në gjashtë ditë pas ekspozimit ndaj virusit pas pickimit të mushkonjës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë vitit regjistrohen 200.000 raste me ethe të verdha, shumë prej të cilëve përfundojnë me vdekje

Çfarë është virusi Zika?

Virusi Zika përhapet nga mushkonja Aedes aegypti, që gjithashtu mbart ethet tropikale dhe verdhëzën. Shkencëtarët thonë se kanë prova në rritje për një lidhje me mikrocefalinë, që shkakton lindje të bebeve me kokë të vogël. Ndërsa virusi Zika mund të sjellë temperaturë dhe skuqje të lëkurës, shumica e njerëzve nuk shfaqin simptoma dhe nuk ka kurë të njohur. E vetmja mënyrë e njohur për të luftuar virusin është të pastrohet uji i pellgjeve ku rrinë mushkonjat dhe të merren masa për mbrojtjen kundër pickimeve të mushkonjave. Disa bebe kanë mikrocefali, për shkak të ndryshimeve në gjene. Të tjera shkaqe përfshijnë ekspozimin gjatë shtatzënisë ndaj infeksioneve, substancave të dëmshme apo mangësi në ushqim. /a.y/noa.al